Vllaznia e femrave humbi këtë të enjte 0-2 në "Loro Boriçi" kundër Real Madrid, në sfidën e parë të grupit A në Champions League. Vajzat e Nikolin Lekës ia dolën që të rezistonin pjesën e parë duke mos pësuar, teksa në 45 minutat e dyta "Galaktiket" shënuan dy herë.
Në minutën e 54 të ndeshjes, Gonzalez Rodriguez do përfitonte nga asisti i Zornoza dhe nga pakujdesia e shkodraneve, për të shënuar golin e parë të ndeshjes. E vetme përballë Williams, sulmuesja e Real nuk do gabonte. Loja e spanjolleve do vinte në rritje, me Carmona që në minutën e 76 do shënonte golin e dytë dhe të qetësisë për mikeshat nga Madridi. Gjithçka do shënohej nga pika e bardhë e penalltisë, për të mbyllur llogaritë e tri pikëve.
Në grupin A të Championsit për femra, Real Madrid prin me tri pikë pas kësaj fitoreje, teksa Vllaznia qëndron në vendin e katërt me zero pikë. Në 21:00 luhet dueli Chelsea - PSG. Kujtojmë se kjo është eksperienca e parë e skuadrës së Vllaznisë në një event madhor si ky, me vajzat shqiptare që bënë një paraqitje të mirë paçka kundërshtareve përballë, duke befasuar tifozët e shumtë në stadium. Ndeshja e radhës për vajzat shkodrane është pas gjashtë ditësh në Londër kundër Chelsea, teksa sot në fushë ishin gjashtë vajza shqiptare në fushë për Vllazninë.