TIRANE-  Një shtetase rreth të 30-ave protestoi sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Me fjali të pakuptimta, duke përsëritur vazhdimisht këngën “Xhamadani vija-vija”, gruaja bionde në 10.55 u ndal para ndërtesës së kryeministrisë.

Pasi la në trotuar çantën, gruaja nisi të këndonte sërish këngën popullore, poshtë zyrës së kryeministrit Berisha, që në atë kohë përgatitej të niste mbledhjen e qeverisë.

Gruaja nuk është penguar që të protestojë, por roja i veshur civil para selisë së qeverisë, disa herë e urdhëroi të largohej, ndërsa ajo protestoi ashpër, duke e sharë.

Taksistët para hotelit “Rogner” thanë se gruaja kishte gati një orë që vërdallisej në zonën afër selisë së qeverisë dhe në gjendje aspak normale ndalonte në bulevard, duke kënduar dhe duke sharë. Tentativës për të folur me të, ajo iu përgjigj me agresivitet dhe me sharje, por duke vijuar përsëritjen e këngës “Xhamadani vija-vija”.