VLORE - Pamjet filmike tregojnë se edhe në qytetin e Vlorës, fëmijët dhe të rinjtë kanë luajtur me tortën, duke gjuajtur njëri-tjetrin me tortë sikur luanin me topa dëbore. Mesa duket kjo ka ndodhur shumë kohë pas orës 10:25 kur Presidenti Bujar Nishani preu tortën që ishte vendosur në sheshin e flamurit.



(Videoja është marrë në Youtube)


Kurse në Tiranë situata ka qenë paska më e ekzagjeruar. Teksa gjithçka po shkonte për mrekulli, momenti i prerjes së tortës gjigante e përgatitur për 100-vjetor prishi atmosferën e festimeve.
Mungesa e një organizimi të mirë për menaxhimin dhe shpërndarjen e tortës festive shkaktoi një situatë të pakëndshme madje të rrezikshme.

Situata nisi të përkeqësohej pas ceremonisë së prerjes së tortës 18 tonëshe, 550 metra katrorë të gjatë të vendosur brenda kolonave të Teatrit të Operas dhe Baletit (TOB), nga kryeministri Berisha dhe presidentja Atifete Jahjaga. Turma e njerëzve që ndodheshin në shesh u vërsulën drejt saj duke shtyrë njëri-tjetrin. Tensioni u shtua pas disa minutash kur të rinjtë u afruan pranë tortës, madje hipën sipër me këmbë duke gjuajtur me tortë si me topa bore.

Dëshira për të shijuar tortën u shoqërua me tension pasi disa fëmijë filluan të qajnë. Një gruaje i ka rënë të fikët. Në një moment polici arrin të nxjerrë nga turma e njerëzve, një fëmijë duke qarë. Policia e pati të pamundur t'i ndalë turmën e njerëzve që ndodheshin pranë tortës. Në orën 15: 01 të 28 nëntori qytetarët u turrën mbi tortë. Njerëz me qese e tasa, kush e kush të merrte më shumë. Disa ishin vendosur para saj duke ngrënë me duar. Disa hipën sipër me këmbë dhe godisnin nga turma me copa torte.