Mes shumë historish në këtë valë gjigande emigrantësh që ka pushtuar Europën është edhe kjo e një aksidenti autobomolistik në Britaninë e Madhe. Njëri pas tjetrit dalin nga furgoni i aksidentuar, në qendër të korsisë.
 
Dikush me fëmijën në krah, e dikush me ndonjë çantë. Gjithçka ka ndodhur nën sytë vigjilente të kamerave të sigurisë në autostradën britanike M5 që vëzhgojnë territorin e Gloucestershire, në pjesën juglindore të Britanisë së Madhe.
 
Imazhet bardh e zi, tregojnë furgonin që në momentet e para kur përplaset dhe më pas daljen e emigrantëve njëri pas tjetrit, ndërsa automjeti nxjerr tym nga motori. Aksidenti është konfirmuar të ketë ndodhur pranë Taunton dhe sipas mediave britanike, emigrantët vinin nga Calais, qyteti port në veri të Francës ndërsa furgoni po I transportonte ilegalisht drejt Londrës. Siç tregojnë dhe pamjet, shoferi është I pari që zbret, I palënduar, ashtu si dhe pasagjerët.
 
E ndërsa ai i vjen rrotull furgonit, hapet dera e pasme dhe të gjithë nisin të zbresin njëri pas tjetrit. Duket e pabesueshme që janë aq shumë, mbi 30 dhe si kanë mundur të qëndrojnë mbyllur brenda atij furgoni. E ndërsa automjetet e tjera ndalojnë apo ngadalësojnë shpejtësinë, emigrantët humbën gjurmët brenda pak minutash, përpara se të mbërrijnë autoritetet duke u larguar në këmbë drejt destinacionit të tyre.


Redaksia Online
(e.r/Shqiptarja.com)