TIRANE - Punimet në rrugën “Egnatia” kanë filluar që prej muajit shtator dhe ende nuk kanë përfunduar. “Egnatia” është një rrugë dytësore krahë rrugës “Don Bosko” në kryeqytet.

Prej katër muajsh rruga ka mbetur e pakalueshme për makinat, por në disa pjesë të saj edhe për këmbësorët, sidomos gjatë ditëve me shi. Balta e krijuar e bën të pamundur lëvizjen në këmbë.

Rruga ishte asfaltuar vetëm 3 vjet më parë, por filloi të rindërtohej në shtator.

Rruga fillon që nga ish-markata në zonën e Laprakës dhe pëfundon pranë rrethrotullimit të Zogut të Zi, krahas Don Boskos.

Bllokimi i rrugës ka rënduar lëvizjen e makinave në “Don Bosko, një pjesë e të cilave përdornin këtë aks si rrugë alternativë.

Por vështirësitë hasen edhe për banorët e shtëpive private dhe disa pallateve që ndodhen përgjatë rrugës “Egnatia”.

Banorët e kanë të pamundur të nxjerrin mjetet e tyre nga shtëpitë. Për shkak të çarjes ë tubacioneve dhe kanaleve të ujërave të zeza, era e keqe në këtë rrugë është e pashmangshme.