TIRANË - Kryeministri Rama ka postuar në rrjetin social një video ku tregohet mënyra se si mund të aplikohet për ndihmën ekonomike. Videoja e emërtuar “Si aplikohet për Ndihmën Ekonomike në qarqet e projektit” në postimin e Ramës në rrjetin social është shoqëruar edhe me statusin “Rruga e re për ndihmën ekonomike.”
Videoja që është shpërndarë nga Kryeministri Rama në rrjetin social “Facebook” është publikuar në kanalin e Youtube nga Ministri Veliaj më 4 korrik të këtij viti.
 
"Ndihma ekonomike në para është një mbështetje ekonomike, që iu jepet familjeve dhe individëve që kanë më shumë nevojë për përkrahje nga shteti.

Por, kush mund ta marrë ndihmën ekonomike?
Familjet pa të ardhura ose me të ardhura të pamjaftueshme. Jetimët, të cilët nuk janë në institucionet e përkujdesit.  Viktimat e trafikimit, viktimat e dhunës në marrëdhënie familjare.

Ndihma ekonomike kërkohet pranë komunës ose bashkisë ku jetoni dhe keni gjendjen civile. Kërkesa bëhet nga data 1 deri në 10 të çdo muaji.

Pas mbylljes së aplikimeve, sistemi elektronik verifikon të dhënat e dokumentacionit, kërkesën e paraqitur pranë administratorit shoqëror dhe përcakton renditjen për të qenë përfitues ose jo i ndihmës ekonomike. Pagesa e ndihmës ekonomike tërhiqet pranë sporteleve të bankave ose zyrave të postës.

Cilat janë risitë e modernizimit të ndihmës ekonomike?
Përfshirja sociale më e gjerë e kategorive në nevojë, identifikim më i mirë i familjeve në nevojë, përjashtim i rasteve abuzive nga skema e ndihmës ekonomike, rritja e transparencës, rritja e shërbimit të ofruar për ndihmën ekonomike, sistem pikëzimi për vlerësimin e ndihmës ekonomike, shpërndarje e drejtë e ndihmës ekonomike, administrim i ndihmës ekonomike nga gratë, subvencion shtesë për çdo fëmijë që shkon në shkollë dhe vaksinohet rregullisht.
Shqipëria Solidare, Ne besojmë në Solidaritet"- thuhet në video.

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)