Temperaturat e larta që kanë pushtuar vendin kanë bërë që shumë pushes e turistë t’i drejtohen brigjeve bregdetare.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga ishulli i Sazanit, i cili duket i mbushur plot me pushues vendës e të huaj të cilët shijojnë ujin e kristaltë dhe pamjen mbresëlënëse të kësaj zone.

Krahas videos, Rama shkruan se Sazani është një tjetër plazh  i ‘sulmuar’ nga turistët, ndërsa shton se janë ‘shtrirë’ në të gjithë hartën e vendit.

“MIRËMËNGJES dhe me një tjetër plazh të “sulmuar” nga turistët vendas e të huaj, në ishullin e Sazanit, në një sezon të jashtëzakonshëm prurjesh në Shqipëri, po edhe shpërndarjeje të turistëve në të gjithë hartën e vendit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Udhëtimi me anije drejt parkut të vetëm detar kombëtar, Sazan-Karaburun në Vlorë ofron eksperiencë mbresëlënëse për turistët vendas e të huaj. Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë, i shpallur si i tillë në vitin 2010 dhe i kthyer tashmë në një nga destinacionet më të preferuara.

Udhëtimi me anije iu ofron mundësi reale turistëve për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës. Ishulli i Sazanit ka një vijë bregdetare prej 15 kilometrash të gjatë, me plazhe ranore, shkëmbore me disa gjire dhe me peizazhe që ofron relievi i thepisur.