TurizmiTiranë po njeh ditët më të mira. Ky ishte thelbi i videomesazhit të javës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili zgjodhi këtë herë të flasë për zhvillimin turistik të qytetit. Veliaj shprehet se shifra e mbi 4 milion turistëve që vizituan vitin e shkuar Kryeqytetin, erdhi falë investimeve të 8 viteve të fundit dhe qasjes për të pasur një qytet të pastër, mikpritës dhe me kushtet e nevojshme të hotelerisë.

“Pavarësisht bindjeve, shumica prej nesh biem dakord se, vitet e fundit, Tirana është kthyer realisht në një qytet që gëlon nga turistët, thuajse në çdo muaj të vitit kalendarik, nga festat e dhjetorit, gjatë verës, e deri në fund të vitit, me Festat e Pavarësisë. Unë ju ftoj të zgjidhni një orë të ditës, kaloni në Sheshin Skënderbej dhe grupet e turistëve në gjuhë të ndryshme do t’ju vërtetojnë se këto janë ditët më të mira edhe për turizmin në Tiranë,” tha ai, duke theksuar se ky është një lajm fantastik, jo vetëm për ekonominë e qytetit, por edhe për ekonominë e Shqipërisë.

“Pyetja është, si kemi arritur deri këtu dhe si kemi bërë të mundur që nga viti 2015-2016, kur Tirana regjistronte jo më shumë se 100 mijë turistë në vit, 8 vjet më pas shifra e tyre të shkojë në 4.5 milion? Përqasja jonë për të zhvilluar turizmin ka qenë e trefishtë: të ruajmë identitetin historik, duke konservuar ndërtesa dhe hapësira të rëndësishme që realisht janë shpallur monumente të kulturës, t’i japim jetë ndërtesave dhe hapësirave historike dhe e treta të investojmë për shekullin e dytë të Tiranës kryeqytet,” shpjegoi Veliaj.

Ai përmendi disa nga projektet e mëdha që e kthyen Tiranën në kryeqendër të rajonit dhe një pol turistik, por që shpesh janë anatemuar dhe janë bllokuar nga një pjesë e politikës.

“Sheshi Skënderbej nuk është më një rrethrrotullim, por një hapësirë fantastike për turistët dhe për aktivitetet. Pazari i Ri, Kalaja, Sarajet e Toptanasve, që Bashkia i ka blerë, Shtëpia Kadare, Shtëpia Dritëro Agolli, që gjithashtu janë blerë nga Bashkia, Bunk’Art, Shtëpia me Gjethe, stadiumi Arena Kombëtare, janë histori suksesesh, të cilat nuk i kemi pasur, por janë bërë falë punës në këto 8 vitet e fundit. Kanë sjellë më shumë punë dhe zhvillim për qytetin, për gjithë Tiranën tonë dhe kanë ndikuar që qyteti ynë të vizitohet nga këta miliona turistë,” u shpreh Veliaj.

Ai u ndal edhe te kullat e Tiranës.

 “Kullat e Tiranës, sidomos të qendrës, janë mundësia e artë për të sjellë investime të klasit botëror në fushën e turizmit. Fatkeqësisht, ndërtimi i tyre është sulmuar shumë nga njerëz që nuk e kuptojnë potencialin që ato kanë për turizmin. Histeria se këto ndërtime po bëhen në prona publike është po ashtu e rreme. Janë në pronat e tyre private. Kush investon në sektorin e turizmit është guximtar, duhet t’i jemi mirënjohës, t’i themi bravo të qoftë, sepse janë përfaqësuesit e parë të Tiranës dhe Shqipërisë me turistin e huaj, me atë që na viziton,” deklaroi Veliaj. 

Kreu i Bashkisë tha se ndërtimi i kullave ka sjellë në Kryeqytet disa nga brandet më të njohura ndërkombëtare të hotelerisë dhe turizmit.

“8 vjet më parë nuk kishim asnjë brand ndërkombëtar hotelerie në Tiranë. Asokohe, gjithollogët thoshin se Tirana s’ka turizëm, se nuk ka mundësi për turizëm. Ndoshta, me të drejtë, sepse si mund të ketë turizëm kur nuk kemi ku t’i strehojmë turistët? Turizëm në shtëpi qerpiçi nuk mund të ketë. Sot kemi hotelet me emrat më të mëdhenj të botës, që po instalohen ose janë instaluar në Tiranë: Hilton, Hayat, Melia, Marriot, Maritim Plaza, InterContinental, që jo vetëm e kanë plotësuar mungesën e shtretërve të Tiranës, por kanë sjellë punësim, kanë sjellë edhe dije për sektorin vendas,” u shpreh ai.

Tirana sot shkëlqen, shtoi kryebashkiaku, dhe është shumë herë më e pastër, më e gjelbër, por edhe më mikpritëse.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:33
Veliaj: Tirana në rrugë të mbarë për të qenë kryeqendra e shqiptarisë dhe e gjithë Ballkanit

1677411248_0b33799d57c24bfe810963842851e7ec.jpg

Në mesazhin e tij, për zhvillimin e turizmit në Tiranë në 8 vitet e fundit, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se Kryeqyteti është në rrugë të mbarë për të qenë jo vetëm kryeqendra e shqiptarisë, por edhe një qytet i denjë europian, në zemër të Ballkanit, dhe pika kryesore e gravitetit në të gjithë rajonin tonë.

Veliaj tha se viti 2022 ishte një vit historik me mbi 1000 aktivitete, kur Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Rinisë. “Organizuam evente të mëdha, siç ishte Sunny Hill Festival, koncertet e Dua Lipës, Rita Orës, Ermal Metës, aktivitete me sukses në javët e kulturës. Organizuam me sukses të plotë Samitin e BE-së, hera e parë që i gjithë lidershipi i Europës vinte në Ballkan dhe zgjodhi Tiranën. Unë jam i bindur se këtë histori suksesi të 2022-shit do ta përsërisim edhe këtë vit si Qyteti Europian i Sportit 2023, sepse nëse duam ta thërrasim këtë kryeqytet metropol duhet të bashkëpunojmë që të zhvillohemi si metropol,” u shpreh Veliaj. 

Ai përmendi edhe disa nga projektet e tjera kulturore dhe artistike. “Bashkë me Qeverinë dhe Kryeministrin Rama duam të çojmë përpara disa projekte të rëndësishme, siç është Teatri i Ri, një teatër modern që edhe nga ana e arkitekturës do të ketë vizitorë, Muzeun e Artit Modern, që duam ta realizojmë te Bulevardi i Ri dhe Parkun e Liqenit të Farkës, që duam ta kthejmë në një mushkëri të dytë të Tiranës edhe për aktivitete sportive. Ne nuk kemi kohë për të humbur me gjuhën e zullumeve, konflikteve dhe stërkëmbëshave. Jemi këtu për të punuar dhe për të ecur së bashku përpara,” deklaroi kryebashkiaku.

Veliaj dha edhe një shembull që bën dallimin e thjeshtë mes Tiranës dje dhe Tiranës sot: “Dua t’ju ftoj të gjithëve në një reflektim, sidomos ata që si puna ime kanë lindur dhe janë rritur në Tiranë dhe e mbajnë mend edhe Tiranën e viteve ’80: Le ta krahasojmë për një çast atë 15-katëshin, - dikur ndërtesa më e lartë e Tiranës, krenaria e komunizmit, që kishte bërë 15 kate pallat, - me InterContinentalin që po ngrihet pas tij në pronë private. Duhet ta shohim si diferencën mes Tiranës së djeshme dhe së nesërmes. Tirana sot s’ka si të jetë si Tirana dje. Zhvillimi, zmadhimi, zgjerimi janë të pashmangshme. Nuk mund ta fusim në një shishe si relike të vogël, si ato anijet në miniaturë që shiten në tregjet për turistët e vendeve bregdetare,” u shpreh Veliaj.

Reklama më e mirë tha Veliaj që mund t’i bëjmë qytetit tonë është të flasim mirë për të, sepse duke folur mirë, do të kemi edhe më shumë turistë.