Vajza që shfaqet në video është vetëm 17 vjeç dhe në dëshminë e dhënë prej saj ajo ka treguar se nuk mban mend asgjë nga ajo natë, pasi në spital ishte dërguar në gjendje të dehur. Minorenja ka pranuar se ka qenë në lokal me djemtë, ndërsa ka kërkuar dënimin e tyre për këtë akt të rëndë.
Nga ana e saj, Prokuroria në hetimet e kryera deri më tani, rezulton se tre djemtë e përfshirë në ngjarje nuk janë anëtarë të një grupi të strukturuar, por janë bashkuar në Urgjencën e spitalit në rrethana të ndryshme.
Ditën e djeshme, policia arrestoi njërin prej protagonistëve të videoskandalit. Në pranga të uniformave blu ka rënë Evarist Pasha, 25 vjeç nga Tepelena, ish-student infermierie. 25-vjeçari është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ka rrëfyer emrat e dy të rinjve të tjerë, protagonistë të ngjarjes, të cilët besohet se ndodhen në Tiranë, por ende nuk janë arrestuar.
Nga verfikimiet e kryera nga ana e policisë, rezulton se Evarist Pasha është një person me precedentë të mëparshëm penalë, i dënuar më 2009 për trafik droge, kohë kur edhe ka ndërprerë studimet e larta për infermieri. A1 Report siguron vendimin e dënimit të 25 vjeçarit në vitin 2010, me 6 vjet e 8 muaj burgim. Ai është arrestuar në 2009 gjatë një tentative për të trafikuar drejt Greqisë 100 kg kanabis sativa.
Sipas të dhënave, Pasha ka qëndruar mbi një vit në qelitë e paraburgimit, nën akuzën e “Trafikim të lëndëve narkotike të mbetur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”. Nga hetimet e kryera, ai punon në një agjenci funerale dhe është paraqitur në urgjencë për t’u interesuar për ndonjë klient që mund të kishte ndërruar jetë, dhe teksa ka parë të rinjtë që ngacmonin vajzën, është bërë pjesë e tyre.
Ndërkaq, në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, një tjetër person është shoqëruar mbrëmjen e djeshme, por ai është lënë i lirë, pasi nuk kishte lidhje me ngjarjen.
Siç duket edhe në video, djemtë gjenden në një dhomë të QSUT, ku në shtrat ndodhet si paciente vajza 17 vjeçare, në gjendje të pavetëdijshme. Ata abuzojnë me të duke i zbuluar pjesët intime dhe duke ia prekur ato.
Nga hetimet e policisë, dyshohet se video është xhiruar nga të rinjtë në shkurt të vitit 2014, në QSUT. Gjithashtu bëhet e ditur se për policinë nuk ka qenë e lehtë identifikimi i të rinjve nga video e publikuar prej tyre, por në ndihmë u kanë ardhur edhe kamerat e sigurisë të Qendrës Spitalore në kryeqytet.