Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Duo”, duke arrestuar 2 shtetas të dyshuar për vjedhje në disa dyqane në kryeqytet.

Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e vjedhjeve, shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 4 dhe Nr. 2 arrestuan shtetasit E. C., 38 vjeç dhe M. F., 40 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet dyshohet se gjatë kësaj jave ata kanë vjedhur para dhe pajisje elektronike në 3 dyqane në zona të ndryshme të Tiranës. Gjatë operacionit u sekuestrua edhe automjeti që përdorej për kryerjen e vjedhjeve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit: 

"Finalizohet operacioni policor i koduar “Duo”, në vijim të operacioneve për zbardhjen e vjedhjeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre, para përgjegjësisë penale.

Gjatë kësaj jave, vodhën para dhe pajisje, në 3 dyqane, identifikohen dhe arrestohen 2 shtetas.

Sekuestrohet automjeti që përdorej për kryerjen e vjedhjeve. 

Në kuadër të veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera menjëherë pas kallëzimeve të qytetarëve, për vjedhje të pronës/pasurisë së tyre, shërbimet e komisariateve të Policisë Nr. 4 dhe Nr. 2 finalizuan operacionin e koduar “Duo”, gjatë të cilit u lokalizuan, u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. C., 38 vjeç dhe M. F., 40 vjeç, të dy banues në Durrës.

Nga hetimet dyshohet se 2 shtetasit, më datë 15.12.2025, kanë vjedhur 8 pajisje elektronike, në një dyqan në Yzberisht, më datë 17.12.2025, kanë vjedhur një shumë parash, në një dyqan në rrugën “Bardhyl”, dhe më datë 19.12.2025, kanë vjedhur 1 pajisje elektronike, në një dyqan në Rrugën e Kavajës.

Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që mund të kenë kryer këta shtetas.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme."