Tre shqiptarë, të moshave 48, 38 dhe 36 vjeç, janë vendosur në arrest shtëpie në Itali, të dyshuar për një seri prej 19 vjedhjesh banesash në rajonin e Marche-s, të kryera nga janari deri në prill.

Sipas hetimeve të koordinuara nga Prokuroria e Ankonës, tre burrat dyshohet se janë përfshirë në 16 vjedhje të përfunduara dhe tri tentativa në qytetet Osimo, Sant’Elpidio a Mare, Recanati dhe Montecosaro.

Hetimi nisi më 14 prill, kur karabinierët ndaluan automjetin me tre personat pranë pikës së pagesës së Loreto-s, në autostradën A14. Gjatë kontrollit, u gjetën 2.090 euro cash, një unazë martese dhe një kapëse ari për para, që dyshohet se vinin nga një vjedhje e kryer pak më parë.

Sipas mediave të huaja të dyshuarit udhëtonin nga Silvi Marina, në provincën e Teramos, drejt zonave të Marche-s, ku kryenin vjedhjet gjatë natës. Dy prej tyre dyshohet se hynin në banesa duke thyer dritaret ose kornizat, ndërsa i treti shërbente si shofer dhe i priste pas grabitjeve.

Vlera e sendeve të vjedhura, përfshirë para të gatshme dhe bizhuteri prej ari e argjendi, përllogaritet në rreth 50 mijë euro, pa përjashtuar dëmet e shkaktuara në banesa.

Me vendim të Gjykatës së Ankonës, tre shqiptarët do të qëndrojnë në arrest shtëpie, të pajisur me byzylykë elektronikë. Sipas autoriteteve, dy prej tyre ishin të njohur më parë për forcat e rendit, ndërsa njëri kishte edhe precedentë penalë.