Dy ditë pasi policia e Tiranës njoftoi prangosjen e 49-vjeçares Estela Kapo, e cila u kap duke shitur në dyqanin e saj në Yzberisht rroba të kontrabanduara nga Greqia, autoritetet greke njoftuan shkatërrimin e një grupi kriminal të specializuar në vjedhje, të lidhur me Kapon dhe kryeqytetin shqiptar.
Në total, 8 anëtarë të organizatës, të moshave nga 33 deri 63 vjeç, përfshirë edhe “kokën” e grupit, u vunë në pranga, ndërsa 4 persona të tjerë u identifikuan dhe janë shpallur në kërkim. Në krye të rrjetit ishte një 54-vjeçare, e cila kishte në aktivitet edhe 4 anëtarë të familjes së saj.
Gjatë kontrolleve në banesat e të arrestuarve dhe në magazinën e grupit, policia greke sekuestroi 71.420 euro, sasi të mëdha veshjesh të vjedhura, artikuj elektronikë, telefona celularë, 7 magnetë për heqjen e pajisjeve kundër vjedhjes dhe një pajisje të specializuar për çmontimin e “etiketave” të sigurisë.
Në aktivitetin kriminal ishin të përfshira dy struktura të sinkronizuara, një grup që vepronte në Greqi dhe një tjetër në Shqipëri. Grupi në Athinë kryente vjedhjet në dyqane, ndërsa 54-vjeçarja organizonte dërgimin e mallrave të vjedhura me autobusë ndërqytetas drejt Tiranës, ku priteshin nga Estela Kapo, e cila i shiste në dyqanin e saj. Ka qenë pikërisht sinjalizimi nga Athina që ka vënë në pranga Kapon.
Në kryeqytetin grek, autorët hynin në dyqanet e veshjeve duke u paraqitur si klientë, vëzhgonin produktet dhe në momentin e duhur merrnin veshje të ndryshme duke i futur në çanta të mëdha. Të gjitha produktet transportoheshin më pas në një depo në zonën e Petralonës.
Autorët kryenin më shumë se një vjedhje në ditë dhe zgjidhnin veçanërisht dyqane që shisnin mallra pa pajisje sigurie kundër vjedhjes. Por edhe kur veshjet kishin etiketa sigurie, anëtarët e grupit kishin fituar aftësi të specializuara për t’i çmontuar, duke përdorur pajisje elektronike dhe magnetë.
Komente











