PRISHTINË, 20 Janar/ATSH/.- Roli i Gjermanisë në dialogun Kosovë-Serbi ka qenë shumë i rëndësishëm për suksesin e këtij procesi.
Sipas KosovaPress, ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets tha se Kosova dhe Serbia duhet ta kenë për qëllim integrimin në Bashkimin Evropian, sikurse është qëllim i bashkësisë ndërkombëtare që këto dy vende të integrohen në BE.
Këto u thanë në një diskutim të organizuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike me temë "Politika gjermane ndaj Kosovës: Dialogu Kosovë-Serbi, Kapitulli 35 dhe axhenda e Integrimit Evropian".
Deputetja Vjosa Osmani tha se roli i Gjermanisë ka qenë kryesor në integrimin në organizatat ndërkombëtare. Osmani tha se, suksesi i dialogut të deritashëm është për shkak të rolit të madh që Gjermania ka pasur në këtë proces.
Agron Bajrami nga Koha Ditore tha se, roli i Gjermanisë në procesin e dialogut ishte i dallueshëm dhe këtë e tregoi edhe Kancelarja Angela Merkel në një vizitë në Beograd, kur u bëri me dije udhëheqjes serbe veprimet për dialogun me Kosovën në mënyrë që të integrohen në BE./m.m/











