Për të parën herë në teatrin Andon Zako Cajupi u dha një shfaqje teatrale për 23 të burgosurit e Drenovës, për 4 gra të burgosura të Tiranës dhe familjarëve të tyre.
Në skenën e teatrit është vënë komedia "Kopraci" e dramaturgut francez Molier me rol kryesor të 93 vjeçarit Koço Qendro, i cili fali emocione tek të pranishmit në sallë.
Drejtoresha e teatrit, Zamira Kita shprehet se do të jenë gjithmonë të gatshëm për të dhënë shfaqje të tilla dhe se kjo ditë është shumë e veçante për ta pasi morën dhe dhuruan një emocion të pa përshkruar.
" Për ne ishte shumë kënaqësi që të shërbenim të ndihmonim sadopak në argëtimin e tyre pse jo edhe në një lloj edukimi për to. Ia dolëm se shfaqja kaloi me shumë duartrokitje emocion e të qeshura. Të gjithë njerëzit që vuajnë dënimin u ndjenë të lirë dhe të kënaqur. Nuk patëm asnjë lloj incidenti përkundrazi në jemi të detyruar që të bëjmë shfaqje për ta vazhdimisht pse jo edhe numri i të burgosurve që vijnë në teatër të rritet dhe emocioni ishte i madh dhe i dyfishtë. " tha Zamira Kita.
Ndërkohë drejtori i burgut të Drenovës është shprehur shumë i emocionuar duke thënë se të dënuarit kanë nevojë për veprimtari të tilla.
" Do doja të thoja se ishte një dëshirë e aktorëve e stafit tonë e të dënuarve të cilët kanë shumë nevojë për aktivitete për shfaqje dhe për veprimtari të tjera." tha Drejtori i Burgut të Drenovës, Genci Fejzollari.
Kjo nismë e veçantë u ndërmor nga stafi i teatrit Andon Zako Çajupi dhe burgut të Drenovës.