‘Vijnë vetëm për vota, tani të mbyllin derën’, banorët e dy bashkive Sarandë e Finiq që jetojnë si në një ishull të harruar

Janë banorë të dy bashkive që garojnë në turizëm por jo në shërbimet ndaj taksapaguesëve të tyre në fshatrat rreth 5 km larg qendrave të Sarandës e Finiqit. Këtu realiteti ka ngjyrën e baltës dhe pluhurit.

Kur përmend Sarandën, në sy të shfaqet bluja e detit dhe e qiellit, kuriozitetet nga jeta në lashtësi, zhytjet në thellësitë nënujore, plazhet që i përngjajnë pikturave të impresionistit francez Oscar-Claude Monet, titujt bombastikë të mediave ndërkombëtare dhe blogerëve e vlogerëve të njohur që i bëjnë jehonë kësaj pjese të Shqipërisë jugore.

Ndjesi të tilla për historinë, arkeologjinë, kishat, malet e lumenjtë, përjeton kur thua Finiq, bashkia që ndodhet vetëm 20 km larg qytetit të Sarandës.

Me këto përjetime do të binin dakord shumica e turistëve vendas e të huaj, përveç banorëve të dy fshatrave, Shelegar dhe Vromero.

Këta janë banorë të këtyre dy bashkive që garojnë në turizëm por jo në shërbimet ndaj taksapaguesëve të tyre në fshatrat rreth 5 km larg qendrave të Sarandës e Finiqit. Këtu realiteti ka ngjyrën e baltës dhe pluhurit.

Më konkretisht, kjo është harta që tregon vendodhjen e fshatrave, Shelegar dhe Vromero/Bregas. I pari është nën administrimin e Bashkisë Sarandë e i dyti nën administrimin e Bashkisë Finiq. Në zonën ndërmjet këtyre bashkive midis dy fshatrave është ndërtuar një zonë informale, banorët e së cilës janë regjistruar një pjesë si banorë të bashkisë Sarandë dhe pjesa tjetër si banorë të bashkisë Finiq.

Duket fat i madh kur sheh se janë dy bashki që u shërbejnë për të njëjtën rrugë që përshkojnë, por në fakt është e kundërta, ata kanë mbetur si një ishull pa zot.

Këta banorë nuk i bashkon vetëm distanca e afërt por edhe halli i përbashkët i mungesës së infrastrukturës dhe investimeve.

Problem kryesor për ta është rruga, por jo vetëm.

Linjat e furnizimit me energji janë tejet të amortizuara, ndërsa rrjeti elektrik ka mbetur ashtu siç është ndërtuar nga banorët, me shtylla hekuri duke u shndërruar në kërcënim serioz për jetën e tyre.

Në fakt ky është problem i vjetër për ta.

Linja e energjisë elektrike Vrion-Shelegar-Vromero që furnizon këto zona pëson defekte të shpeshta, kryesisht për shkak se disa linja të zhveshura krijojnë masë me njëra-tjetrën. Prej kohësh është projektuar një linjë e re elektrike tokësore për këtë zonë. Ata që kanë shkuar t’u kërkojnë votat, i kanë dëgjuar madje edhe i kanë premtuar për fillimin e punimeve që në shtator të vitit 2021.

Ndryshe nga faqja zyrtare e Bashkisë Finiq ku nuk gjejmë asnjë informacion mbi kërkesat e bëra nga banorët e fshatit Vromero/Bregas, në faqen e Bashkisë Sarandë shohim takimet që drejtuesit e këtij institucioni kanë zhvilluar me banorët e fshatit Shelegar.

Në njoftimin për shtyp që mban datën nëtor 2021 informohet mbi sugjerimet konkrete për investime e shërbime në fshatrat Metoq e Shelegar.

“Në Shelegar u kërkua të planifikohet për t’u bërë 170 m rrugë e brendshme. Po kështu do të shikohet mundësia për të ndërhyrë me investime për 90 m rrugë që çon tek banesat në zonën e ish-repartit ushtarak. Takimet në Metoq e Shelegar shërbyen edhe për të dhënë zgjidhje praktike për plotësimin e ndriçimit publik, për ndryshimin e orarit të furnizimit me ujë etj. Dëgjimi i zërit të banorëve ishte i dobishëm edhe për shpejtimin e studimit dhe urbanizimit të zonave informale, për kanalizimet e ujërave të ndotura, për saktësime të zonave kadastrale dhe për eliminimin e bashkëpronësisë, për azhurnimet e nevojshme me ASHK etj., dhe për të lobuar në zgjidhje përfundimtare me energjinë elektrike.

“Për mjedis të pastër u shprehën të interesuar e të angazhuar edhe vetë banorët. Ata kërkuan më shumë kosha mbetjesh dhe përgjegjshmëri të rritur nga operatori i pastrimit. Ndërkohë nga Bashkia u kërkua ndërgjegjësim dhe bashkëpunim për menaxhimin e plehërave, siç do të ofrohet edhe shtrirja e punës së njësisë së pastrimit në mënyrë kapilare në gjithë territorin. Kryebashkiaku Adrian Gurma u tha banorëve në Metoq e Shelegar se “ato që kemi bërë nuk ishin maksimumi ynë, edhe se 2020-a ishte vit i pandemisë”, ndërkohë që i siguroi se 2022 do të jetë vit investimesh dhe shërbimesh këtu.”

Një vit më vonë në tetor të vitit 2022, përfaqësuesit e Bashkisë Sarandë bënë një tjetër ndalesë në Shelegar. Dëgjuan përsëri çfarë shqetëson banorët dhe ku mendojnë ata që duhet të ndërhyjë Bashkia.

“Kryebashkiaku nënvizoi se investime edhe më të rëndësishme janë në projektin e buxhetit për vitin që vjen në Shelegar, duke veçuar se për ndriçimin do të destinohen 5 milionë lekë të reja, nga 16 milionë që janë për gjithë Bashkinë. Ndërkohë, banorët kërkuan që buxheti i ri të mbështesë me financim bërjen e rrugëve që mbeten problematike, zëvendësimin e shtyllave 50-vjeçare të ndriçimit, zgjidhje për një korsi shtesë në rrugën e hyrjes në fshat, deri tani burim aksidentesh, planifikimin e studimit urbanistik për zgjerimin e kufijve të fshatit dhe shtimin e sipërfaqes së varrezave. Për furnizimin me ujë të pijshëm, Shelegari është përfitues nga investimi që është në përfundim për sjelljen e ujit nga burimet e Bistricës.”

U mbajtën shënim por vetëm kaq. Edhe në fillim vitin 2024 të njëjtat kërkesa vazhdojnë të drejtohen nga banorët e Shelegarit. Disa me shpresë e disa pa shpresë se do të zgjidhen.

Këto fshatra nuk janë as të thellë gjeografikisht e as të panjohur për historikun e Bashkive.

Shtrihen përgjatë Qafës së Gjinos, vetëm pak kilometra nga qyteti i Sarandës. Kjo qafë shërben si portë hyrëse për në fshatin e sotëm të Shelegarit. Ky fshat mendohet të jetë krijuar më 1920, me 12 familjet e para nga Çamëria. Quhet Shelegar ngaqë aty sipas banorëve, rritej më së miri delja dhe shelegu, zhvillohej blegtoria, me kalimin e kohës mori edhe këtë emër. Shelegari është një fshat nën administrimin e bashkisë Sarandë, shumë pranë qytetit.

Nga veriu, fshati kufizohet me Bregasin, nga jugu me Metoqin, nga perëndimi me Sarandën dhe nga lindja me Vrionin. Deri dje ka qenë e banuar kryesisht nga popullsi çame dhe nga disa familje nga fshati Podgoran, Përmet e disa të tjera nga Labëria. Sot jetojnë më shumë se 250 familje, mosha mesatare është mbi 40 vjeç ,kryesisht banorë të ardhur nga zona të ndryshme jo vetëm të Sarandës, pasi vendasit e kanë braktisur duke zgjedhur emigrimin.

Fqinjët e tyre janë banorë të fshatit Vromero/Bregas pranë të cilit ndodhet edhe Manastiri i Shën Gjergjit. Në vitin 2020, një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një sipërfaqe me ullinj pranë fshatit Shelegar, ku për pasojë 350 rrënjë u dogjën totalisht e ndërsa u rrezikuan edhe 500 të tjera. Flakët rrethuan dy banesa që ndodheshin aty pranë të cilat u shpëtuan mrekullisht nga tre zjarrfikëses që ndërhynë në kohën e duhur edhe për evakuimin e banorëve.

Në atë kohë të gjithë u bënë bashkë, Kryetari i Shelegarit që është nën administrimin e Bashkisë Sarandë, kryetari i Bashkisë Finiq dhe prefekti i Vlorës.

Banorët e të dy bashkive ndihmuan njëri-tjetrin për të shmangur dëme akoma më të mëdha për shkak të terrenit shumë të pyllëzuar dhe erës që ndihmonte zjarrin duke fryrë.

Jo vetëm në të keq por edhe për qëllime madhore, janë bërë bashkë fiqinjët që ndodhen vetëm 20 minuta larg njëri tjetrit. Shembujt nuk mungojnë. Edhe në vitin 2022, Bashkia e Sarandës dhe ajo e Finiqit vendosën të bashkohen, këtë herë në ofertën turistike me qëllim që të rrisin ekonominë lokale në shërbim të turizmit. Kjo është zyrtarizuar me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit, në mjediset e Bashkisë së Finiqit, duke dhënë të parët shembullin mbi modelin e funksionimit të turizmit të integruar.

Letrat e nënshkruara për zhvillim të komuniteteve u duken abstrakte banorëve të Shelegarit dhe Vromero/Bregasit. Kërkojnë një rrugë e drita prej vitesh. Por përfaqësuesit e dy bashkitë për të cilat paguajnë taksat kanë kohë që nuk i shohin më në derën e tyre dhe po e humbasin shpresën, të paktën deri sa të vijnë zgjedhjet e ardhshme.

M.Q./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë

Kamberi: Nëse protestat 'shuhen', Vuçiç do e çojë Serbinë në diktaturë