TIRANË- Qindra besimtarë, klerikë të feve të tjera, politikanë dhe qytetarë, i dhanë lamtumirën Fortlumturisë Anastas, në Katedralen Ngjallja e Krishtit. Kjo është dita e dytë e homazheve për kryepeshkopin Anastas Janullatus që ndërroi jetë të shtunën.
“Ka qenë njeri që ka bashkëpunuar me të gjitha komunitetet fetare dhe sidomos me mua personalisht dhe më vjen keq për çdo njeri që largohet nga kjo botë, por ai po largohet me një vepër që i ka lënë pas Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe shqiptarëve”, tha Baba Mondi.
“Ajo që ka bërë ai, ngritjen e Kishës Ortodokse, ndihmën përmes fondacioneve, është një vlerë e shtuar për ortodoksët dhe shqiptarët”, u shpreh avokati Ledio Braho.
“Ka humbur një njeri me vlera, një njeri mjaft i njohur me kontributin që ka dhënë për bashkëjetesën shpirtërore mes shqiptarëve dhe njerëzit e tjerë të rajonit”, shprehet botuesi Fatmir Toçi.
“Humbje e madhe, i cili dallonte për mesazhet, qartësinë dhe kontributin e tij në kohë të vështira”, shprehet deputeti Tritan Shehu.
Teologu Miron Çako tregoi për Report Tv se ceremonia mortore për Kryepeshkopin do drejtohet Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës, ndërsa do ketë fjalime nga klerikë e politikanë, mes tyre edhe dy kryeministrat Rama e Mitsotakis.
Ceremonia mortore do të mbahet nesër në orën 11:00, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore. Trupi i Kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur përjetësisht në një ambient të posaçëm brenda Kishës, që do jetë edhe i vizitueshëm.
Në ceremoninë mortore të 30 janarit, priten në kryeqytetin shqiptar të vijnë figurat më të larta të klerit në botë, dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse. Nga Vatikani pritet një delegacion i gjerë i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin. Konfirmohet pjesëmarrja e Kryeministrit grek, Mitsotakis me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar.
Report Tv ka mësuar gjithashtu se është konfirmuar pjesëmarrja e Patriarkut të Kostandinopojës, Bartolomeu; Patriarkut të Izraelit Theofili i Jerusalemit; Kryepeshkopit të Greqisë Jeronimi; Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë; i Bullgarisë, i Rumanisë etj.
Gjithashtu në ceremoni priten Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, Drejtues të “Saint Egidio” në Itali; delegacion nga Këshilli Botëror i Kishave (institucion që përfshin të gjitha kishat, katolike, protestante apo ortodokse), përfaqësues nga unioni ‘Fetë për Paqen’, një delegacion nga kishat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj.
Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllimet për humbjen e kryepeshkopit Anastas Janullatos, pas homazheve që kreu në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Basha e cilësoi humbje të madhe për popullin shqiptar, veçanërisht për besimtarët ortodoksë, duke theksuar rëndësinë e rolit të tij në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Pavarësisht polemikave gjatë jetës së tij, Basha vuri në dukje kontributin e kryepeshkopit në rivendosjen e një të ardhmeje shpirtërore për Shqipërinë pas dekadash përndjekje fetare. Ai gjithashtu nënvizoi vlerat e paqes, tolerancës dhe dashurisë ndërfetare që Janullatos kultivoi, duke bashkëpunuar ngushtë me komunitetet fetare të tjera.
Prononcimi i plotë i Lulzim Bashës:
Krishterët ortodoks shqiptarë kanë humbur udhëheqësin e tyre shpirtëror dhe për këtë dua t’ju shpreh nga zemra ngushëllimet e mia. Por humbja e një udhëheqësi shpirtëror sigurisht është një tragjedi për çdo popull. E veçantë është kjo humbje sepse, humbasim kryepeshkopin që ringriti nga hiri Kishën Ortodokse autoqefale të Shqipërisë. E di që për gjatë jetës së tij nuk kanë munguar polemikat shpeshherë të ashpra, të nxitura kryesisht nga gjaknxehtësia e përkatësisë së ortodoksëve shqiptarë, por fatkeqësisht sot, ndonëse unë kam pasur mundësinë t’ia them edhe personalisht, nuk mbetet gjë tjetër veçse të lartësojmë rolin e tij i cili është e do të bëhet gjithmonë e më evident në ringritjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë nga hiri pas dekadave të shkretëtirës shpirtërore dhe luftës kundër fesë nga regjimi i mëparshëm.
Kjo është një meritë që ai e bashkëndan me bashkëudhëtarët e tij, me dishepujt dhe nxënësit e tij që sot i shohim të fronëzuar në kishat e ndryshme ortodokse të Shqipërisë, të cilëve bashkë me ngushëllimet e mia ju përcjell edhe bindjen se koha dhe Zoti do t’i lërë jo vetëm me kujtimet më të mira të kryepeshkopit Janullatos. Por edhe me veprën e tij të pavdekshme e cila sot valëvitet në shpirtin e të gjithë të krishterëve ortodoks shqiptarë dhe të gjithë shqiptarëve që çmojnë përtej kësaj vepre të prekshme edhe shpirtin paqësor, tolerancën, mirëkuptimin dhe dashurinë ndërfetare që ai e kultivoi me kaq kujdes me kolegët e tij të kishës katolike shqiptare, të komunitetit mysliman, të komunitetit bektashi, të vëllazërisë ungjillore dhe të gjithë besimtarëve në Zot.
Ndaj, lutja ime sot është që shpirti i tij të prehet në paqe dhe falenderimi im si besimtar, por edhe si shqiptar për veprën e tij të pavdekshme që është ringritja e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Le t’i bashkohet falenderimit të mijëra besimtarëve ortodoks, por edhe të tjerëve shqiptarë që dinë të vlerësojnë veprat e mira edhe kur njerëzit e mirë nuk i kemi mes nesh.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu ka mbajtur sot homazhe pranë trupit të Kryepeshkopit Anastas, i cili ndërroi jetë të shtunën më datë 25 janar. Pas homazheve në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’, Vëngu shkruajti dhe përshtypjet e tij për Kryepeshkopit në librin e përjetimeve.
Homazhet për Kryepeshkopin vijojnë që prej ditës së djeshme në orën 16:00 kur trupi i Fortlumturisë së Tij erdhi ditën e djeshme nga Athina në rrugë tokësore.
Nesër pritet të mbahet ceremonia e varrimit të tij po në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’, me praninë e Patriarkut Ekumenik Bartolomeu dhe klerikë të lartë botërorë, si dhe politikanë të lartë të Greqisë dhe krerët e shtetit shqiptar.
Qindra besimtarë vazhdojnë të hyjnë në Katedralen ‘Ngjallja e Krishtit’ për të prekur për herë të fundit, kryebariun e tyre, për t’i puthur duart trupit të pajetë, të Kryepeshkopit Anastas, raporton gazetarja Esiona Konomi.
Vazhdon të lexohet Ungjilli dhe të mbahen mesha përshpirtjeje. Kanë ardhur dhe klerikë nga jashtë vendit. Ka qenë Mitropoliti i Sirisë, që ka mbajtur një Përshpirtje, ose ka lexuar një fragment të ceremonisë fetare, që e ka bërë në gjuhën arabe.
Ka shkuar delegacioni i Kishës Orthodhokse për të pritur Kryepeshkopin e Qipros në aeroport.
Mësohet se Patriarku i Konstandinopojës do të mbërrijë nesër në orën 09:00. Do jetë njeriu më i rëndësishëm, i cili do të drejtojë shërbesën e Ceremonisë mortore, në orën 11:00. Patriarku Bartolome do të mbërrijë së bashkë me Patriarkun e Aleksandrisë, ndërkohë që Kryepeshkopi i Athinës, do të vijë me charter së bashku me kryeministrin grek Mitsotakis.
Mësohet se do jenë jo vetëm ministrat e qeverisë Mitsotakis, por edhe lideri i opozitës greke pjesë e ceremonisë. Në orën 11:00 i pari që flet do jetë Bartolomeu, do mbajë fjalimin dhe do drejtojë meshën dhe do kenë fjalën si kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Greqisë, Mitsotakis.
Janë marrë masa për dy gjuhë transmetimi, këtu do transmetohet televizioni publik shqiptar, ndërkohë do jetë dhe televizioni publik grek. Patriarku i Konstandinopojës do mbajë fjalën në gjuhën greke dhe do përkthehet nga një prej klerikëve shqiptarë. Gjithashtu dhe fjala e kryeministrit grek do përkthehet në kohë reale.
Sot kanë ardhur figura të ndryshme të vendit dhe politikanë të ndryshëm si dhe klerikë të besimeve fetare. Krerët më të lartë të shtetit pritet të vijnë nesër, përfshirë këtu presidentin, kryeministrin dhe kryetaren e parlamentit. Gjithashtu dhe lideri i opozitës, Sali Berisha pritet të vijë nesër. Lulzim Basha zgjodhi ditën e djeshme për të kryer homazhe.
Baba Mondi, pas homazheve për kryepeshkopin e ndjerë, Anastas Janullatos
Po zhvillohen homazhet për kryepeshkopin Anastas Janullatos në Katedralen “Ringjallja e Krishtit” në Tiranë, teksa po marrin pjesë për t’i dhënë lamtumirën dhe lutur përveç mijëra qytetarëve, edhe personalitete nga fusha të ndryshme të jetës, përfshi edhe ato të komuniteteve fetare.
I pranishëm sot (29 Janar) për t’i bërë homazhe kreut të ndjerë të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ishte edhe kreu i Komunitetit Bektashi, Baba Mondi.
Ai vlerësoi figurën e Janullatosit, me të cilin tha se “ka bashkëpunuar edhe personalisht me të”, duke uruar që “Zoti ta ketë në parajsat e veta” për veprën që la pas për kishën, duke shtuar se “e ngriti nga varri Kishën Ortodokse Shqiptare”
Fjala e Baba Mondit pas homazheve:
“Fortlumturia është personalitet i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili ka punuar me vetëmohim për ta ngritur këtë kishë nga varri. Ka qenë njeri që ka bashkëpunuar me të gjitha komunitetet fetare dhe sidomos me mua personalisht dhe më vjen keq për çdo njeri që largohet nga kjo botë, por ai po largohet me një vepër që i ka lënë pas Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe shqiptarëve. Ngushëllime Kishës Ortodokse, Zoti e pstë në parajsat e veta. Qofshi dritë dhe Zoti na bekoftë të gjithëve, amin!”.