/ATSH-Z.Tosku/- Në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të zbatimit të ligjit 'Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit', i ndryshuar, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor Qendror kreu inspektime në qytetin e Tiranës me trupat inspektuese të degëve Durrës dhe Elbasan.

Gjatë mbrëmjes së të shtunës u kryen 15 inspektime në lokale e ambiente te tjera argëtimi. Për arsye të moszbatimit të ligjit në fjalë, nga ana e inspektorëve të ISHSH janë marrë 3 masa administrative me vlerë 900.000 lekë gjobe.

Inspektimet u kryen në bashkëpunim me inspektorët e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor qendror.

Eltar Deda, Kryeinspektor i Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, tha se "ndjekja e zbatimit të ligjit të sipërpërmendur është vetëm një pjesë e punës së kryer deri tani nga ana e ISHSH qendror dhe degëve në rrethe. Afrimi i stinës së verës ka sjellë një intensitet të metëjshem të punës sonë për sezonin turistik, me qëllim detyrimin e subjekteve publike dhe jopublike që të marrin masat e nevojshme për parandalimin e situatave të papritura sidomos në zonat bregdetare".