Protesta e kësaj të marte në zonën e Baks-Rrjollit në Velipojë është shoqëruar me tensione dhe përplasje pas vendimit të Apelit për pronësinë e tokës. Banorët kanë tentuar të hyjnë në tokat që pretendojnë se u përkasin, por janë përballur me kordonin policor që ka penguar kalimin e tyre.
Një nga protestueset, Lucjana Kokaj, siç shihet edhe në pamje, ka hipur mbi eskavator për të penguar punimet që po kryhen për ndërtimin e resprtit të botuesit dhe biznesmenit Bashkim Ulaj.
6 persona janë shoqëruar nga policia e Shkodrës gjatë protestës. Banorët para ambienteve të policisë kanë reaguar sërish, duke u shprehur se nuk do ta ndalin rezistencën. 5 nga 6 personat janë lënë të lirë, edhe personi i 6 po jep deklarimet dhe do të jetë i lirë. Prek Molla, në intervistën dhënë për mediat si një nga të shoqëruarit, shprehet se kjo është hera e 10-të që ai shoqërohet gjatë protestave.
Banorët e Rrjollit kanë 23 ditë që protestojnë kundër ndërtimit të resortit nga Bashkim Ulaj. Ata mbeten të vendosur të vijojnë protestën e tyre dhe kërkojnë drejtësi.
Ditën e djeshme familjes Malaj i është njohur e drejta e pronësisë mbi një sipërfaqe prej 20,700 m², rreth 2.1 hektarë, në fshatin Rrjoll në Velipojë, në një zonë kufitare me vendin po ndërtohet resorti “Blue Borgo”.
Vendimi u dha nga Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, e cila pranoi pjesërisht padinë e Nikollë Malajt kundër Agjencia e Trajtimit të Pronave, një proces gjyqësor i nisur që në vitin 2018 dhe që zgjati 8 vite. Duke qenë se beteja është fituar për 2.1 hektarë, banorët shpresojnë se do të merret një vendim pozitiv nga Gjykata edhe për zonën ku Ulaj po ndërton. Kjo pasi sipas tyre, Fatmir Shpellza, i cili pretendon se zotëron tokën ku Ulaj po ndërton, ka falsifikuar dokumentet për marrjen e saj në pronësi.
Komente












