Mijëra persona në Stamboll vijojnë të mbushin rrugët në ditën e 6 të protestave pas arrestimit të Ekrem Imamoglu, tashmë kandidat zyrtar i Partisë Republikane Popullore Turke për zgjedhjet ardhshme presidenciale turke.
Me një vendim të së dielës Ministria e Brendshme njoftoi se Imamoglu është shkarkuar nga detyra. Por zemërimi i mbështetësve të tij vijon prej ditësh.
Të hënën mediat në Turqi thanë se janë arrestuar mbi 1130 protestues të lidhur sipas pretendimeve qeveritare me 12 organizata terroriste.

Pjesë e tyre janë edhe reporterët. 9 të tillë janë arrestuar së bashku me fotografin e AFP Yasin Akgul, të cilët janë marrë me forcë pas protestave në banesat e tyre dhe janë dërguar në qeli. Autoritetet në përditësimin e situatës thanë se janë plagosur 123 policë.
Presidenti i vendit në reagimin e tij të fundit lëshoi akuzat e radhës në lidhje me protestuesit dhe Partisë republikane Popullore. Ai foli edhe për një process të manipuluar të primareve që zyrtarizuan Ekrem Imamoglu si kandidat për president.
"Ata mbajtën një proces zgjedhor ku votat u hodhën publikisht, por u numëruan fshehurazi. Ata bënë një shfaqje teatrale. Kur të bjerë perdja, shfaqja e tyre do të përfundojë", tha Erdogan
Ndërkohë pushteti i Erdogan është kritikuar këto ditë nga Komisioni Europian. Në të njëjtën linjë reagoi edhe qeveria gjermane të hënën që e quajti të papranueshëm arrestimin e Ekrem Imamoglu duke thënë se veprimi është një sinjal i keq për zhvillimin e demokracisë dhe për marrëdhëniet mes dy vendeve.
Kriza në Turqi rrezikon gjithashtu anulimin e një vizite të planifikuar tani në pranverë të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis në Ankara për të takuar Erdoganin dhe e bën "të vështirë" organizimin e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë midis Greqisë dhe Turqisë, me dy vendet të cilat prej dy vitesh përpiqen të zgjidhin çështjet që i ndajnë historikisht.
Arrestimi i kryebashkiakut të Stambollit vazhdon të ketë ndikim edhe në ekonomi: lira turke vazhdon të bjerë (në 37,87 kundrejt dollarit dhe 41,05 kundrejt euros), ndërkohë që bursa ka rimarrë vrullin, duke u mbyllur me një rritje prej gati 3% pas një jave në të cilën la mbi 16,5% në terren.
Xh.K/Shqiptarja.comKomente

