Punimet në shkollën “Demir Gashi” në Peshkopi po vijojnë, ndërsa investimi synon t'u ofrojë nxënësve, mësuesve dhe stafit kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor.

Shkolla e re, që po ndërtohet me investim të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Dibër, do të ketë klasa dhe laboratorë modernë, si edhe hapësira të reja për zhvillimin e veprimtarive passhkollore dhe komunitare.

Sipas informacionit të bërë publik, objekti është projektuar për të përmbushur standarde bashkëkohore të mësimdhënies dhe sigurisë, duke ofruar njëkohësisht mjedise që garantojnë gjithëpërfshirje dhe cilësi në arsim.

Ecuria e punimeve është bërë publike nga kryeministri Edi Rama, i cili thekson se puna po vijon çdo ditë për përfundimin e këtij investimi në qytetin e Peshkopisë.

"Në shkollën “Demir Gashi” në Peshkopi, po punohet çdo ditë që nxënësit, mësuesit dhe i gjithë personeli të zhvillojnë mësimin në kushte dinjitoze, klasa e laboratorë modernë, si dhe hapësira të reja për veprimtari pas-shkollore e komunitare. Investim i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Dibër, shkolla e re do të ofrojë standarde bashkëkohore të mësimdhënies e sigurisë, si dhe mjedise që garantojnë gjithpërfshirje dhe cilësi në arsim" shkruan ai.