Reshjet e shiut pritet që të vijojnë edhe nesër mbi vendin tonë, ndërsa në zonat malore do të jenë në formë dëbore, më të shumta në qarkun e Korçës. Ndërkohë që prej mesditës së sotme reshjet e dëborës vijojnë në qarkun e Dibrës duke bllokuar disa zona. Sipas banorëve të Lurës, Kalasë së Dodës dhe Selishtës dëbora ka arritur deri në 20 cm dhe vazhdon të bjerë, po kështu edhe ne disa njësi të Bulqizës si në Ostren dhe Trebisht, ku raportohet se 400 banorë janë të izoluar, pasi rrugët janë të bllokuara.
Po kështu 115 familje në Tërrnovë të Madhe dhe të Vogël janë të bllokuara. Por, sipas Emergjencave Civile në nuk ka asnjë banorë të bllokuar nga dëbora. “Lidhur me informacionin se 400 banore ne Bulqize te bllokuar nga debora, shtabi i Emergjencave Civile ne Prefekturen Diber ben me dije se nuk ka banore te bllokuar.
Aktualisht, po punohet me 3 borepastruese ne aksin rrugor Klenje-Stebleve, ku ndeshen probleme gjithmone ne situata te motit te keq. Rruga Dibër-Kala e Dodes është e kalueshme me zinxhire, po punojne 3 borepastruese” thuhet në reagim. Dëbora ka zbardhur edhe disa zona në qarkun e Elbasanit pasditen e sotme, mes tyre pikën turistike të Gjinarit, por nuk raportohen probleme me qarkullimin.