TIRANE, 13 Nëntor/ATSH/. - Policia e Shtetit në bashkëpunim me OSHEE, kanë vijuar edhe gjatë ditës së sotme kontrollet e përbashkëta në të gjithë vendin për të identifikuar dhe vënë para drejtësisë autorët e lidhjeve të paligjshme të energjisë dhe vjedhjes së energjisë elektrike.
Drejtori i Policisë së Shtetit Artan Didi në një deklaratë të përbashkët për mediat me kreun e OSHEE, Arben Seferi tha se gjatë ditës së sotme, kanë vepruar në terren 139 grupe të përbashkëta Polici - OSHEE, në zbatim të një plani më të detajuar duke kryer kontrolle në zonë tek të gjithë abonentët biznes dhe familjarë.
Sipas Didit, si rezultat i kontrolleve të kryera në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar 12 persona, të cilët akuzohen për vjedhje të energjisë elektrike dhe shpërdorim detyre, si dhe janë shpallur në kërkim 5 persona të tjerë. Janë kryer kontrolle të përbashkëta me OSHEE në 1.573 raste, ndërkohë që janë ndërprerë 964 lidhje të paligjshme të energjisë dhe abonenteve debitorë. Nga të arrestuarit, 9 prej tyre janë pronarë biznesesh./a.gjonaj/./a.g/