Galeria Kombëtare e Arteve mendohet të jetë gati për publikun vitin që vjen. Galeria tashmë do të vijë me godinë të zgjeruar dhe me hapësira ekspozuese të dyfishuara, por nuk dihet ende nëse institucioni do të jetë një muze arti apo do të vijojë të kryejë funksionet e galerisë.

“Ideja është që të kthehet në Muze të Arteve të Bukura, por ky është akoma një diskutim i hapur. Deri para pak muajsh nuk ka pasur drejtor, kështu që ka munguar besoj dhe një figurë që ta lehtësojë këtë debat. Unë mendoj, më mirë do ishte që institucioni të ishte më fleksibël dhe mos të kalonte në statusin muze, sepse e bën atë diçka të ngurtë dhe në momentin kur neve ende nuk kemi një hapësirë tjetër shtetërore për artin bashkëkohor.”, thotë për "Report TV", drejtorja e re e GKA-së, Adela Demetja.

Punimet për rikonstruksionin e Galerisë kanë nisur në 2021. Adela Demetja, drejtore e re e galerisë dhe e para grua në këtë pozicion thotë për “Report TV”, se ka paraqitur një platformë menaxheriale të ndërtuar mbi dy shtylla kryesore: transformimin strukturor dhe pasurimin e përmbajtjes artistike të galerisë. Ajo thekson se fokusi është jo vetëm zgjerimi fizik i galerisë, por edhe ai konceptual, duke e përditësuar institucionin me një koleksion që reflekton artin bashkëkohor shqiptar pas viteve ’90.

“Fondi i galerisë është pasuruar shumë pak mbas viteve ’90-të dhe jo me një koncept të qartë. Nuk do të mungojnë në këtë institucion edhe figura, të cilat nuk jemi mësuar t'i shikojmë brenda këtyre institucioneve ose që nuk iu është dhënë rëndësia e duhur. Në veçanti artisteve gra, që është edhe një nga fokuset e punës time kuratoriale, por edhe artistë më të rinj të skenës së pavarur.”

Një punë e madhe po bëhet edhe me shtimin e hapësirave të ruajtjes së fondit edhe laboratorëve modernë të restaurimit.

“GKA-ja është edhe një institucion qendror për sa i përket laboratoreve të restaurimit, ku me ambientet e reja do kemi mundësinë të restaurojmë jo vetëm veprat tona, por edhe veprat e muzeve të tjerë ose institucioneve të tjera në Shqipëri.”, vijon Demetja.

Puna për linjën e ekspozimit të koleksionit po kryhet në bashkëpunim me Suzana Varvaricën dhe Ermir Hoxhën ndërkohë që po punohet edhe me digjitalizimin e dosjeve të artistëve dhe me rishikimin e të gjithë inventareve të institucionit. Sot, në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve ruhen rreth 4800 vepra.

Një tjetër pikë e rëndësishme janë edhe bashkëpunimet ndërkombëtare dhe fusha e studimit, kurimit dhe kryerjes së konferencave, që sipas Demetjas i ka munguar institucionit gjatë viteve të fundit.