Dokumentari eseistik për Lumturi Blloshmin shfaqet më 23 prill në Bienale të Venecias, kuratorja: Autoportretet e saj ‘zemra’ e pavijonit

“Si mund të bëhesh i afërt me dikë që nuk e ke njohur kurrë?”. Është kjo pyetja që regjisori meksikan Tin Dirdamal, i shtron vetes teksa ndërton një dokumentar eseistik për Lumturi Blloshmin, jetën e artin e saj, që do të shfaqet në 23 prill në Bienalen e Venecias... Një zë i mbytyr rrëfen historinë e saj, që përbri imazhit vjen e shkruar në një kator të bardhë... Por dramat nisin që në moshën 5-vjeçare kur artistja humbet dëgjimin. Publiku është i lirë të interpretojë,  imazhi i zi për të cilën ajo i shkruan shoqes së saj pak para ndarjes nga jeta mund të jetë i lidhur me zhdukjen e babait në diktaturë, të cilin nuk e gjeti kurrë. Kuratorja e Pavijonit Shqiptar, Adela Demetja zbulon më shumë .

“Kjo është marrë nga një shkrim që ne e kemi gjetur të Lumes një letër që i shkruante një shoqeje dhe neve na është dukur si element absurd ose surreal dhe një moment poetik se asgjë tjetër nuk flitej për këtë letër flitej vetëm për imazhin e zi”, tha kuratorja.

Në mungesë të Lumes, të ndarë nga jeta 2 vite më parë, Alexander Walmsley i jep mundësi vizitorëve të Bienales të njohin artisten përmes një mjedisi virtual. Ndërsa autoportretet e shtrira në kohë, prej ’69-ës konsiderohen nga Demetja si ‘zemra’ e Pavijonit tonë.

“Autoportretet janë interesante se në radhë të parë e bëjnë subjektin të njohur. Duke qenë se edhe Lumja nuk njihet në këtë arenë ndërkombëtare publiku do të ketë mundësi të ketë një qasje më direkte me artisten.

E ka marrë këtë subjekt vetë , pra vetë veten e saj , në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë viteve, gjithashtu shikojmë edhe tranzicionin e saj në mediumet e ndryshme, nga piktura, te fotografia, te performanca, te objektet e ndërthurura fotografi dhe pikturë . Pra me anë të këtij grupimi ne bëjmë disa gjëra në kohë. E para sjellim Lumen si karakter si individ dhe e dyta tregojmë dhe se si ka qenë rrugëtimi i saj me këto mediume dhe sa shumë ajo e ka transformuar veten dhe sa e rëndësishme ka qenë edhe kapja e vetes në këto imazhe që ajo ka krijuar që në fund të fundit bëhen pjesë e historisë së artit dhe dëshmojnë për punën e kësaj artisteje femër, siç kanë bërë dhe artiste të huaja”, vijon ajo.

Me punët e artistes që kanë pasur subjekt edhe realitetin shqiptar, vizitorët e këtij edicioni të 59-të të Bienales, do të zbulojnë më shumë rreth vendit tonë, gjatë dhe post diktaturës.

“Përshembull kemi disa punë të viteve ’90 prej tyre ne do të tregojmë vetëm një , kemi eksodin e madh. Ishte një ngjarje që Lumja e përjetoi vetë, duke qenë se edhe një pjesë e familjes së saj vinte nga Durrësi, ajo përjetoi atë momentin e shkëputjes të anijes që largoheshin... Dhe këtë element të anijes në det ajo e ka përsëritur në disa punë të saj kemi një punë të quajtur Itaka, kërkimi dhe kthimin në shtëpinë ose dëshirën e lirisë por edhe kthimin në shtëpisë, sigurisht që kjo është një temë shqiptare por na jep mundësinë të flasim për realitetin shqiptar”,

Rebele siç qe, arti i saj nuk mund të qëndronte indiferent qoftë në ndjesitë e brendshme të individit ashtu edhe në ngacmimin e temave si lufta e pushtetit.

“Ajo përdor karrigen në disa punë të saj si elementë për të folur për pushtetin dhe kjo luftë e pushtetit që bëhet në realitetin shqiptar, kjo luftë që ekzistonte edhe para viteve ’90 dhe që u trashëgua dhe sot, pra me anë të këtij elementi të karriges së përsëritur ajo na jep mundësinë të flasim për realitetin tonë nëse dëshirojmë."

Për Lumen që aq shumë dëshiroi të thyente kufijtë mendorë e fizikë të imponuar prej diktaturës, përfaqësimi i Shqipërisë në këtë Bienale do të kishte qenë një ëndërr e realizuar... E megjithatë “Qumështi i ëndrrave”, siç quhet Bienalja e këtij viti, për ata që e dëshirojnë praninë e saj në të e bën të mundur. Pasi sipas konceptit të Leonora Carrington, në Arsenal ku do të vendoset PËR 5 ditë Pavijoni ynë, ne mund ta riimagjinojmë  realitetin tonë...

“Qumshi i ëndrrave titullohet bienalja dhe merr si pikënisje një titullin e një libri të një autoreje femër piktore surrealiste dhe për më tepër 80 përqind të artisteve të këtij viti janë femra. Dhe jo vetëm femra që kanë qenë të përfaqësuara më parë por shpesh herë ato vijnë nga realitete të cilat i kanë shtypur, zëri i të cilave nuk është dëgjuar. Përshembull kemi të parat artiste me ngjyrë nga Anglia dhe nga Amerika. Kemi artistë përfaqësues të minoriteteve të ndryshme dhe me punën e saj për më tepër lumi qëndron brenda këtij kuadri ku surrealistët ose konteksti surrealist rikthehet në këtë realitet bashkëkohor si një mundësi për ta imagjinuar botën të pakufijshme”, thekson ajo.

SI.E./Sh.Sh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri