Rruga kombëtare ‘Librazhd-Pogradec’ mbetet e bllokuar dhe askush nuk di të thotë se përsa kohë do të vijojë e tillë. Ajo që kishte nisur 4 ditë më parë me një çarje asfalti sot është fundosur plotësisht.
Edhe 4 familje të fshatit Dragostinje, që ndodhen pranë kësaj rruge, jetojnë me frikën se do t’u fundosen banesat
Pamjet me dron që sjell Report TV, dëshmojnë se shembja është masive, dhe nis nga maja e kodrës e përfundon në shtratin e lumit Shkumbin.
Ura ka degraduar plotësisht, asfalti ka ceduar dhe duket se është i pariparueshëm. Po kështu ndaloi puna për hapjen e by-pass provizor në anën e sipërme të rrugës ekzistuese, pasi jeta e punëtorëve ishte ne rrezik. Situata duket se ka dalë jashtë kontrollit, pasi vetëm një dite më parë kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli tha se bypassi do hapej të hënën, ndërsa sot u detyrua të lajmërojë fundin e kësaj rruge.
“Situata paraqitet kritike. Ajo që ne shpresuam se që kishte plan rrëshqitje deri në 6 metra, rezultoi që nuk është i tillë. Rezultoi që rrëshqitjet janë aktive”, tha Kozeli.
Kozeli hodhi poshtë dyshimet se dëmtimi mund të jetë e pasojë e gërmimeve në shtratin e lumit Shkumbin nga një kompania private, emrin e së cilës nuk e përmend.
“Masat paraprake për krijimin e baypassit dhe unzaës sekondare nuk rezultuan efektive kështu që aksi do vijojë të mbetet i mbyllur. Po diskutojmë të bëjmë një rrugë alternative, ku ndër to është ajo e Spatharës, që po përdoret nga veturat", nënvizoi Kozeli.
I pyetur për kompanitë që shfrytëzojnë internet e lumit Shkumbin për ndërtimin e Korridorit VIII, Kozeli tha se disponojnë leje.
"Kontraktori është i pajisur me leje për punimet që po zhvillon”, shtoi ai.
Për Qeverinë, përfaqësuar në këtë rast nga ARRSH-ja, rrëshqitja është fenomen natyror shkaktuar nga shiu, por prokuroria ka dyshime se mund të jetë abuzuar nga kompanitë që po ndërtojnë korridorin e VIII. Prej se dielës kanë nisur hetimet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tenderë apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Lotin e shtate te autostradës e ka fituar kompania “ANK”, kantieri i se cilës ndodhet 2 km larg vendit ku u shemb rruga ekzistuese. Po kjo kompani, në pronësi te Agim Koles, u pa keto dite ne terren, e kontraktuar nga ARRSH-ja për hapjen e bypass-it provizor.
Qytetarët e Korçës, Pogradecit, Përrenjasit e Librazhdit për të ardhur në Tiranë duhet të lëvizin në rrugën Maliq – Gramsh, e cila jo vetëm zgjat distancën por nuk ofron siguri. Është pikërisht kjo rruge qe shihni ne pamje, e cila në disa segmente ka vetëm një korsi. Një alternative tjetër por me e mundimshme është nga Tepelena e Leskoviku. Ndërsa maunet e Maqedonisë së Veriut lëvizin nga Rruga e Arbrit.
Për shkak të shembjes së rrugës në vendin e quajtur Arrat e Gurrës, tashmë janë dy akse për të lëvizur automjetet, Spathar–Dardhë, si edhe Gramsh-Moglicë-Lozhan.
Në aksin Spathar – Dardhë, Report Tv ka shkuar në këtë fshat ku nga investigimi i kryer vihet re një numër i madh automjetesh të cilët për arsyet e tyre kanë dashur të lëvizin nga juglindja drejt Elbasanit apo Tiranës, ndërsa ka edhe nga disa emigrantë që po udhëtojnë drejt Greqisë.
“Kjo është rrugë dhish. Të bësh rrugën nga 3 orë për 6...”, thotë një emigrant që kthehet nga Peqini në Greqi, i cili nuk e fsheh shqetësimin edhe për sigurinë.
Drejtuesit e automjeteve shprehen të mërzitur nga neglizhenca e autoriteteve. Ata thonë se rruga zgjat më shumë sesa zakonisht, përveçse është e vështirë për të qarkulluar.
“Rruga na pengon jashtë mase. Duhet të ishte bërë rruga andej, pastaj kjo”, thotë një prej tyre.
“Katastrofë fare! Po lëmë gomat, po shkatërrojmë makinat! Katastrofë!”, shton një tjetër.
Njëri nga drejtuesit thotë se në këtë rrugë “as kali nuk kalon”.

Bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec ka bërë që banorët e fshatit Spathar në Librazhd të vendosin vetë sinjalistikë orientuese dhe paralajmëruese në segmentin rural Spathar–Rruga Antike Egnatia–Dardhë–Hotolisht, i cili po përdoret si rrugë alternative pas bllokimit të aksit kombëtar Librazhd-Pogradec.
Ky segment, i projektuar për qarkullim lokal, është kthyer në arterien kryesore që lidh Tiranën me Juglindjen e vendit, pasi rruga kombëtare mbetet e pakalueshme përgjegjëse.
Bllokimi i aksit Librazhd-Pogradec ka sjellë përplasje të banorëve të Dragostunjës me policinë.
Disa qytetarë kanë zbritur nga një furgon dhe kanë dashur të kalojnë në krahun tjetër. Por veç shembjes masive të rrugës që është njëri prej problemeve, po çmontohet shtylla elektrike që gjithashtu rrezikon të bjerë.
Për shkak të këtyre situatave me rrugën, e cila është jashtë funksionit që prej së shtunës, policia i ka kthyer banorët mbrapsht.
Banorët e fshatit të Dragostunjës kanë gjetur si rrugë aletnative ngjitjen në kodra për të aksesuar shtëpitë.
Që prej të shtunës aksi rrugor Librazhd-Pogradec që kalon pranë tyre në zonën ‘Arrat e Gurrës’, është jashtë funksioni përveç automjeteve dhe për këmbësorët për shkak të shembjes që ka pësuar nga rrëshqitja masive e dherave.
Sipas kreut të ARRSH-së Ami Kozeli, deri më tani nuk ka rrezik për banesat.
Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ami Kozeli për mediat sot është shprehur se planet e deritanishme për t’i dhënë një zgjidhje të përkohshme trafikut pas shembjes së aksit Librazhd-Pogradec, nuk kanë rezultuar efektive.
Kozeli sqaron se po shqyrtohen 2 mundësi të reja, njëra është përdorimi si rrugë alternative ajo nga zona e Spatharit që mund të aksesohet dhe nga veturat si dhe hapja e një rruge sekondare aty pranë në Dragostunjë. Kozeli sqaroi se rrëshqitjet janë aktive, por deri më tani nuk rrezikohen banesat.
“Situata paraqitet kritike. Ajo që ne shpresuam se që kishte plan rrëshqitje deri në 6 metra, rezultoi që nuk është i tillë. Rezultoi që rrëshqitjet janë aktive. Masat paraprake për krijimin e bypassit dhe unazës sekondare nuk rezultuan efektive që kështu aksi do të vijojnë të jetë i mbyllur. Po diskutojmë që duhet të bëjmë një rrugë alternative, qoftë ajo ekzistuese e Spatharit që është e përdorur dhe nga autoveturat. Në një diskutim që patëm sot me banorët e zonës, ekziston mundësia që mund të krijojmë një rrugë sekondare këtu në Dragostunjë. Po e shikojmë, po e vlerësojmë. Presim nga Shërbimi Gjeologjik raportin si dhe nga 3 sondat që ne bëmë. Nga diskutimet në zonën e banesave nuk ka një plan rrëshqitje, por po mbahet në monitorim. Ka një gatishmëri totale nga të gjithë. Kemi 48 orë, u bë një punë kolosale që po na bie poshtë dhe nuk po na rezulton efektive për zgjidhen që duam t’i japim trafikut”, tha kreu i ARRSH Ami Kozeli.
Report Tv ka siguruar pamjet me dron nga aksi i shembur Librazhd-Pogradec. Një pjesë e rrugës është shkëputur duke rrezikuar shembje totale si pasojë e rrëshqitjes së dherave që prej të shtunës. Ura në këtë aks ka degraduar dhe më shumë duke rrezikuar gjithashtu shembjen.
Prej më shumë se 48 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rruge që kalohet me vështirësi për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe që shton distancën me një orë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) thotë do të vijojë të mbetet i bllokuar qarkullimi në segmentin rrugor në zonën e quajtur Arrat e Gurës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec.
Përmes një njoftimi, ARRSH sqaron se segmenti pritej të hapej mesditën e sotme, por pati rrëshqitje masive të tokës, duke e bërë qarkullimin të pakalueshëm.
ARRSH deklaroi se janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve, për arsye sigurie.
Aktualisht është duke u kryer një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm.
ARSSH ka sugjeruar disa rrugë alternative për drejtuesit e makinave dhe të mjeteve të tonazhit të rëndë.
Njoftim
Qarkullimi do të vazhdojë të jetë i bllokuar në segmentin rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec.
Ky segment, i cili pritej të hapej mesditën e sotme, ka pësuar rrëshqitje masive toke, duke e bërë qarkullimin të pakalueshëm.
Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.
Aktualisht po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje. Ndërkohë specialistët në terren po shohim mundësinë e lëvizjes vetëm për mjete e vogla dhe të emergjencave në një rrugë në zonën përreth.
ARRSH, për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve, sugjeron përdorimin e akseve alternative si më poshtë:
Për autoveturat:
✓ Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
✓ Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
Për mjetet e tonazhit të rëndë:
✓ Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit
Duke kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë banorëve të zonës, ju lutemi të ndiqni me kujdes sinjalistikën rrugore si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.
Dy deputetet e PD, Ledina Alolli dhe Klodjana Çapja
Dy deputetet e PD, Ledina Alolli dhe Klodjana Çapja thonë se shembja e rrugës Librazhd-Pogradec kanë shkaktuar probleme për bizneset, turizmin dhe qytetarët.
Alolli u shpreh se kryeministri Edi Rama vjen në Korçë me helikopter, ndërsa qytetarët enden maleve.
“Jemi për të parë nga afër gjendjen e krijuar për arsyen sepse kjo është artieria kryesore që lidh juglindjen e Shqipërisë, me kryeqytetin e vendit. Një dëm jashtëzakonisht jo vetëm për juglindjen, por për qarkun e Korçës. Kjo rrugë ka shkaktuar probleme për bizneset, pjesën e turizmit, por edhe qytetarët. Sot, kryeministri Edi Rama vjen në Korçë për të inaguaur Polin e Dijes, ai do të zbresë me helikoptet. Ai shfrytëzon vizitat e punës, duke përdorur mjete luksi, ndera shqiptarët rropaten maleve për të arritur në vendet ku duan të shkojnë”, tha Alolli.
Çapja deklaroi se drejtësia duhet të hetojë kompanitë që kanë operuar për ndërtimin e rrugëve, ARRSH dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Prej 3 ditësh, situata sa vjen e rëndohet në këtë aks. Denoncojmë situatën skandaloze në të cilën po përballen qytetarët shqiptarë. Kjo situatë nuk është e papritur dhe e paparalajmëruar. Prishen rrugët ekzistuese, marrin inerte pa kriter në lumin Shkumbin. ARRSH nuk ka marrë masa parandaluese. Do të ftoja organet e drejtësisë të marrin masa të menjëhershme për kompanitë që operojnë, ARRSH si institucion përgjegjës dhe Belinda Ballukun”, theksoi Çapja.
Problemet në aksin rrugor Librazhd-Pogradec, kanë shkaktuar dëmtime dhe në rrjetin energjetik. Konkretisht që prej ditës së djeshme shtylla e tensionit të mesëm në Linjën 110 kV Librazhd - HEC Egnatia rrezikon shembjen. Sot energjia elektrike do të stakohet nga ora 10:00 deri në orën 17:00, hark kohor që do të punohet për demontimin e shtyllës.
Pa energji elektrike do të mbeten dhe disa zona në rrethin e Librazhdit, Babje, Buzgar, Drapata, Dragostunjë, Ferrë, Frarë, Hotolisht, Gurëkuqe, HEC-i Xhyrë.
Komente












Ky fenomen i rrugeve ka ndodhur e po ndodh dhe ne Greqi dhe nga rruget e vjetra qe kalojn makinat prap ka rreshqitje dheu dhe guresh dhe nuk i dihet si do shkoj.Kur jemi perball fenomeneve te natyres nuk i anashkalojm duke treguar gishtin te te tjeret e te fajtoret se ne fund do ti paguajm te gjithe.Duke ngrene ne nje lokal ne nje qytet te Greqis u hap gropa dhe rane 9 veta brenda.Keto fenomene jane shume me te renda dhe se termetet jane te pa papritura .Ju ka ngelur refreni te Balluku me ate merret drejtesia duhet te leme specialistet te bejn punen.
PërgjigjuBravo Linda
Ne Greqi bajne edhe filma per kete fenomen
I lanë rrugët rrugëve ma keq se të parët
Përgjigju