10 vatra zjarri në vend, era zgjeron perimetrin e flakëve! Flakët në Pukë rrezikojnë kurorën e qytetit, situata kritike edhe në Majën e Rrunës, Thirrë dhe Fushë Arrëz

10 vatra zjarri në vend, era zgjeron perimetrin e flakëve! Flakët në Pukë rrezikojnë kurorën e qytetit, situata kritike edhe në Majën e Rrunës, Thirrë dhe Fushë Arrëz

Pamje nga zjarret

"Lufta" me flakët si duket do të vijojë deri në fund të verës, deri kur të fillojnë shirat. Pavarësisht punës disa ditore, situata e zjarreve është problematike në disa vatra në veri të vendit. Në të gjithë vendin janë 10 vatra aktive të zjarrit, një pjesë e të cilave janë të reja dhe një pjesë janë favorizuar në përhapje nga era e fortë. Edhe pse situata është problematike në disa nga vatrat nuk ka rrezik për banesat.

Situatat më problematike janë në Majën e Rrunës, në Fushë Arrëz, në Thirre dhe në Malin e Tërbunit ku rrezikohet kurora e gjelbër e qytetit të Pukës. Edhe pse sot ka pasur ndërhyrje nga ajri dhe toka në disa prej vatrave sërish situata është kritike, pasi era ka qenë e fortë.

Era ka ndikuar në përhapjen e perimetrit të zjarrit në fshatin Flet në Fushë-Arrëz, në fshatin Patalej në Lezhë, ku flakët janë në drejtim të fshatit Katund i Ri në Rubik. Përkeqësim ka edhe në Thirrë, në Mirditë dhe në Majën e Rrunës, Laku i Mollave e Laku i Thive në Kukës. Por terreni për ndërhyrjen e forcave nga toka është i vështirë, gjë që ndërlikon izolimin e zonës.

Në Thirrë, janë përshkuar deri tani rreth 220 ha ahe, pishe, barishte e dushq dhe janë djegur 140 ha kullota. Vatra e zjarrit është e pamundur të kontrollohet vetëm nga toka për shkak të përhapjes dhe në mbështetje të forcave të FA dhe pushettit vendor ka shkuar edhe helikopteri holandez.

Me ritëm të shtuar është edhe zjarri në fshatin Kaçni në Selishtë të Dibrës. Zjarri po përhapet në zonë pyjore, por me intensitet mesatar, duke përfshirë rreth 20 ha. Por fatmirësisht, momentalisht nuk ka asnjë rrezik për zonat e banuara.

Zjarri i rënë prej 1 jave në fshatin Patalej të Lezhës vijon të jetë aktiv edhe sot, ndërsa flakët po rrezikojnë edhe fshatin turistik Katund i Vjetër. Era ka ndikuar në përhapjen e flakëve në fshatin Patalej. Sipërfaqja e përshkruar deri tani është 30 Ha, ndërsa është djegur rreth 15 Ha shkurre dhe pemë.

Aktualisht situata është nën kontroll, ndërsa në terren ndodhen zjarrfikësit, ushtria dhe shërbimi pyjor. Ditën e sotme pritet të ketë nderhyrje me helikopter nga ajri për shuarjen e flakëve në disa vatra problematike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:17
10 vatra zjarri në vend, Ministria e Mbrojtjes: Disa janë problematike pasi favorizohen nga era, por flakët nuk rrezikojnë banesat

Ministria e Mbrojtjes ka bërë një bilanc të vatrave aktive të zjarri në vend. Në të gjithë vendin po punohet për shuarjen e 10 vatrave të zjarrit, një pjesë e të cilave janë të reja dhe një pjesë janë favorizuar në përhapje nga era e fortë.

Një vatër e re zjarri është shfaqur, nën ndikimin e erës në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë, ku është punuar gjatë ditës nga forcat e FA për krehjen e zonës. Përhapja e zjarrit rrezikon kurorën e qytetit të Pukës, por nuk ka rrezik për banesa. Nesër do të vijojë sërish operacioni për vënien nën kontroll të situatës.

Ndërhyrja nga ajri në vatrën e zjarrit në fshatin Flet, njësia administrative Blerimaj, bashkia F.Arrëz u ndërpre si pasojë e telave elektrikë që rrezikonin punën e helikopterit holandez. Por në terren po punojnë rreth 100 forca të FA dhe pushtetit vendor. Nga ana e fshatit Kryezi është vënë nën kontroll. Nga fshati Dardhë situata është më e rrezikshme dhe po punohet nga forcat për ta izoluar. Nuk ka rrezik për banesat.

Një zjarr me përmasa të mëdha u raportua në një sipërfaqe pyjore pishe dhe shkurre, midis fshatrave Lodertune, njësia administrative Postribë dhe Mazrek, njësia administrative Guri i Zi, bashkia Shkodër. Mazreka është një zonë me vlera historike dhe turistike, ku ndodhen rrënojat e Kishës së Shatit, monument kulture i kategorisë së parë. Në mbështetje nga ajri është edhe helikopteri holandez.

Vijon puna për shuarjen e zjarrit në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë. Sipërfaqja e përshkruar deri tani është 30 Ha, ndërsa është djegur 15 Ha shkurre dhe pemë. Vatra ka qenë aktive brenda perimetrit të përshkuar nga zjarri dhe gjatë kohës është përhapur në  Veri-Lindje të fshatit Lalm të nj.ad. Kolsh, Lezhë dhe të kufirit administrativ me nj.ad.Rubik, bashkinë Mirditë, përkatësisht në afërsi të fshatit Katund i Vjetër, ku në gatishmëri është vendosur një mjet zjarrfikës i FA për ruajtjen e 4 banesave aty pranë. Vijon akoma mbështetja nga ajri dhe pas punës së ditës së sotme është arritur 60% e izolimit të vatrave. Nesër do të vijojë sërish operacioni për shuarjen përfundimtare.

Është përmirësuar disi situata në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, ku situata ishte përkeqësuar si pasojë e erës. Deri më tani flakët kanë përshkuar rreth 220 ha ahe, pishë, barishte e dushq dhe djegur 140 ha kullota. Veç forcave të FA, policisë, zjarrfikëses gjatë ditës ka punuar është helikopteri holandez, i cili ka ndihmuar në uljen e ritmit të përhapjes së zjarrit krahasuar me ditën e djeshme operacioni do të vijojë sërish nesër. Aktualisht nuk ka rrezik për banesa.

Vazhdon të jetë problematike vatra e zjarrit në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku  i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës, pavarësisht punës së bërë nga forcat e angazhuara të bashkisë dhe forcat e ushtrisë për izolimin dhe mbajtjen e saj nën kontroll. Vazhdojnë të digjen trungje brenda vatrës. Terreni është i vështirë dhe në disa drejtime është e pamundur ndërhyrja nga toka.

Vijon të jetë aktiv zjarri në fshatin Kaçni, njësia administrative Selishte bashkia Dibër. Pavarësisht punës së bërë nuk është arritur izolimi i flakëve që po përhapen në zonë pyjore. Nesër në mbështetje të forcave të pushtetit vendor do të shkojnë edhe rreth 30 efektivë të FA.

Një vatër zjarri në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra është raportuar në fshatin Vanë, njësia administrative Delvinë, bashkia Delvinë. Forcat e zjarrfikëse janë në terren dhe aktualisht nuk ka rrezik.

Po ashtu një vatër e re është në fshatin Kamican,  njësia administrative Zavalinë, bashkia Elbasan në pyll me pisha. Forcat e MZSH të bashkisë janë në terren dhe po punojnë për izolimin e vatrave.

Ora 19:28
Zjarri në Majën e Rrunës, situata ende problematike, në disa drejtime e pamundur ndërhyrja nga toka

Zjarri në Majën e Rrunës vijon ende të djegë bimësi dhe të përhapet, ndërsa për të ndërhyrë nga toka në disa drejtime thuajse është e pamundur. Kjo vatër zjarri vijon të jetë problematike edhe pse janë përbë përpjekje për mbajtjen nën kontroll të saj.

Emergjencat në Kukës shprehen se vijojnë të digjen trungje brenda vatrës.

Ora 16:01
Rrezikoheshin banesat nga zjarri në Zejmen të Lezhës, flakët vihen nën kontroll

Teksa “lufta” me kohët për shuarjen e flakëve në vend po vazhdon, një tjetër vatër zjarri është aktivizuar në Zejmen të Lezhës dhe po kaplon një zonë të banuar.

E rrezikuar është edhe godina e Njësisë Administrative Zejmen pasi flakët janë pak metra larg saj. Ndërhyrja e dy mjeteve zjarrfikëse ka bërë të mundur vënin në kontroll të flakëve dhe po punohet për shuarjen e tyre, ndërsa vetë godina dhe banesat përreth nuk rrezikojnë më.

Ora 12:19
Zjarret në vend, reagon Ministria e Mbrojtjes: Pavarësisht punës në terren, problematike situata në disa vatra në veri të vendit

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me situatën e zjarreve në vend, duke theksuar se pavarësisht punës intensive ka ende disa zona problematike në disa vatra në veri të vendit.

Ministria shprehet se era ka ndikuar në përhapjen e perimetrit të zjarrit në fshatin Flet në Fushë-Arrëz, në fshatin Patalej në Lezhë, ku flakët janë në drejtim të fshatit Katund i Ri në Rubik. Përkeqësim ka edhe në Thirrë, në Mirditë dhe në Majën e Rrunës, Laku i Mollave e Laku i Thive në Kukës.

Njoftimi i plotë:

Disa vatra zjarri, kryesisht në veri të vendit janë ende aktive pavarësisht punës së pandërprerë të forcave operacionale në terren, asistencës së ekpertëve nga Byroja për Ndihmë Humanitare e USAID dhe mbështetjes me helikopterët shqiptarë, holandezë e çekë nga ajri. Situata paraqitet e normalizuar në vatrën e zjarrit në Malin e Tërbunit në Pukë, ku ende po punojnë mbi 50 forca të FA për të kryer krehjen e zonës. Në vatrën e zjarrit në fshatin Flet, njësia administrative Blerimaj, bashkia F.Arrëz po punohet nga rreth 100 forca të FA dhe pushtetit vendor. Është ndërprerë puna nga ajri e helikopterit holandez, për shkak të telave elektrikë që ishin shumë lart dhe rrezikonin punën e tij.

Zjarri nga ana e fshatit Kryezi është vënë nën kontroll, ndërsa nga fshati Dardhë situata është më e rrezikshme dhe po punohet nga forcat për ta izoluar. Era ka ndikuar në përhapjen e flakëve në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë. Sipërfaqja e përshkruar deri tani është 30 Ha, ndërsa është djegur rreth 15 Ha shkurre dhe pemë. Forcat e Armatosura, të policisë, ato zjarrfikëse, të pushtetit vendor dhe forca vullnetare po punojnë për shuarjen e flakëve. Zjarri për momentin nuk rrezikon banesa, por vijon përhapja e saj në Veri-Lindje të fshatit Lalm të nj.ad. Kolsh, Lezhe dhe të kufirit administrativ me nj.ad.Rubik, bashkinë Mirditë, përkatësisht në afërsi të fshatit Katund i Vjetër. Ka filluar ndërhyrja nga ajri Helikopteri Cek për izolimin e zjarrit e më pas do të ndërhyhet me forca ushtarake e bashkiake për të bërë krehjen e plotë të perimetrit të vatrës në mënyrë që të bëhet izolimi i plotë.

Përkeqësim ka situata në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, si pasojë e erës. Janë përshkuar deri tani rreth 220 ha ahe, pishe, barishte e dushq dhe janë djegur 140 ha kullota. Vatra e zjarrit është e pamundur të kontrollohet vetëm nga toka për shkak të përhapjes dhe në mbështetje të forcave të FA dhe pushettit vendor ka shkuar edhe helikopteri holandez.

Vatra e zjarrit në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës vazhdon të jetë problematike me gjithë punën e bërë nga forcat e angazhuara nga bashkia Kukës si dhe angazhimi nga ajri me helikopter . Sot po vijon puna edhe nga forcat zjarrfikëse, të shërbimit pyjor dhe forcat vullnetare. Por terreni për ndërhyrjen e forcave nga toka është i vështirë, gjë që ndërlikon izolimin e zonës.

Nuk paraqitet rrezik për banesat dhe po vijon puna për mbajtjen nën kontroll të vatrës në Qafë Murrë, njësia administrative Selishte, B. Dibër. Zjarri ka kaluar në një terren shkëmbor dhe me bimësi të pakët.

Zjarri në fshatin Kaçni, njësia administrative Selishtë bashkia Dibër, po zhvillohet me ritëm të shtuar dhe ka dalë jashtë kontrollit duke u afruar në masivin me pisha në territorin e bashkisë Klos. Zjarri po përhapet në zonë pyjore, por me intensitet mesatar, duke përfshirë rreth 20 ha. Për izolimin e zjarrit sot janë angazhuar rreth 30 forca të bashkisë Dibër, si zjarrfikës, forca pyjore, të bashkisë e vullnetare. Për shuarjen e plotë të zjarrit janë angazhuar edhe forca nga bashkia Mat.

Ora 10:02
Zjarret në Kukës, flakët në Majën e Rrunës më problematike

Mbrojtja Civile në prefekturën e Kukësit bërë dhe bilancin e orëve të fundit në lidhje me vatrat aktive të zjarrit në këtë qark. Vatra e zjarrit në Majën e Rrunës sipas mbrojtjes civile duket se është më problematikja.

Njoftim nga Komisioni i Mbrojtjes Civile Prefektura Kukës:
Situata e zjarrit të rënë në Maja e Rrunës Nj.Ad Malzi bashkia Kukës vazhdon të jetë problematike me gjithë punën e bërë nga forcat e angazhuara nga bashkia Kukës si dhe angazhimi nga ajri me helikopter . Sot nga bashkia janë angazhuar 10 forca të MZSH-së, 8 punonjës të pyjores dhe Nj.Ad Malzi, si dhe 10 forca nga komuniteti. 
Në mbështetje të strukturave të bashkisë janë angazhuar dhe 18 forca të Detashmenti i Mbrojtjes Rajonale  Kukës.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Basha akuzon se ka aleancë PS-Rithemelimi kundër SPAK, e besoni?



×

Lajmi i fundit

Sulmi ndaj Izraelit, Irani siguron Kinën: Nuk përshkallëzojmë situatën! Ushtria izraelite zotohet të përgjigjet

Sulmi ndaj Izraelit, Irani siguron Kinën: Nuk përshkallëzojmë situatën! Ushtria izraelite zotohet të përgjigjet