Viktor Hygo: Vepra ime një Bibël
njerëzore, vepër e pandashme

Viktor Hygo: Vepra ime një Bibël<br />njerëzore, vepër e pandashme
“Krejt vepra ime do të jetë një ditë një tërësi e pandashme. Po bëj një Bibël, jo Bibël hyjnore, por Bibël njerëzore”. Poet, dramaturg, romancier, eseist, pamfletist dhe artist i jashtëzakonshëm, Viktor Hygoi (1802-1885) shkaktonte reagime nga më pasionantet. Vetë jeta e tij do të mbante vulën e të veçantës dhe të përjashtmit, nga lindja deri te funeralet në shkallë kombëtare, kur u përcoll për në banesën e fundit nga më shumë se një milion vetë.

Proteus me gjenialitet të paparë, përkrahës i flaktë i përparimit të jetës shoqërore, lirisë së shtypit dhe heqjes së dënimit me vdekje, ai ndikoi fuqimisht në zhvillimin e ideve letrare, morale e politike të shekullit XIX. Shtëpia Botuese “BotArt” sjell në shqip monografinë “Viktor Hygo” shkruar nga autorja franceze, Sandrine Fillipetti. Viktor Hygoi? Ja një Fat i përjetuar aq veçmas, ja një Vepër e përplotë. E në këtë mes, ja Njeriu, i shfaqur këtu nga Sandrine Fillipetti në krejt larminë dhe frymëmarrjen e vet: “Tani i shpalosur, nuk jam më veçse një dëshmitar i Perëndisë”.

Sa qe gjallë, jeta e Viktor Hygoit ishte një fushë betejash pafund. Nga njeriu i thjeshtë te poeti, nga dramaturgu te romancieri, nga mendimtari te politikani, ai gjeneroi një spektër të gjerë veprimesh e kundërveprimesh. Vetëm një indiferenti nuk do t’i interesonte fjala e tij. I fërshëllyer me pasion, ai u duartrokit në të kundërt nxehtësisht.

Krejt qenia e tij  komplekse, kontradiktat rrënjësore, jeta private e publike, evolucioni ideologjik që ai njohu, shkaktojnë në mos skandalizim, të paktën vënie në siklet. Më ruajalist se Mbreti, u këndoi lavdive e mjerimeve të monarkisë legjitime, para se të shpallej bonapartist, dhe më pas të përqafonte me forcë kauzën e Republikës.

Kursimtar, veç kur e sheh aq bujar nga shpirti. I ndershëm e besnik, veç kur bëhet faunesk. Besimtar, nuk lë gjë pa thënë kundër priftërinjve dhe ia shfaq Kishës para syve pasojat e veta të dëmshme. Per* i Francës, kërkon heqjen e dënimit me vdekje dhe godet ashpër padrejtësinë shoqërore. Dhe kur shkrimtarët i sheh të komprometohen në sallonet e Perandorisë së Dytë, ai vë penën e vet në shërbim të mbrojtjes së popullit.

Cilido qoftë konteksti, ai qëndron besnik në miqësi, duke ruajtur në mendje copëza kujtimesh që nga koha e rinisë së hershme. I pandikuar lehtshëm, Hygoi zotëron një pavarësi të vërtetë. E ka paguar këtë me çmimin e nëntëmbëdhjetë viteve syrgjynosje, gjatë të cilave nuk reshti së lëshuari mbi oqean britmën e zemërimit, krahas krijimeve letrare marramendëse të gjenisë së tij përherë në lëvizje.

Kaloi nga gjendja e heroit në atë të gjysmë- perëndisë, dhe mbeti për shumë vetë një bubë tmerruese: i kundërshtuar ashpër nga shtypi konservator, i sharë nuk ka më keq nga kleri, ai u vu në të njëjtën kohë në shënjestër nga një numër bashkëkohësish të tij, tek nxiti tek ata smirën dhe hidhësitë. Porse vepra e tij proteiforme eklipsoi krejt vrerin dhe fluksin urrejtës të tyre. Simbol i shekullit XIX, tek përshkoi një pas një revolucionet që e karakterizuan, Viktor Hygoi qëndroi dhe mbeti i pari në të gjitha fushat. Asnjëherë nuk do të reshtte së shumëfishuari sfera e famës së tij. Dhe a mund të ëndërronte shpërblim më të mirë vetë ai që ka shkruar:

Të shumëfishosh lexuesit, do të thotë të shumëfishosh bukën e gojës. Ditën kur Krishti krijoi këtë simbol të bukës, ai përfytyroi me sytë e mendjes shtypshkronjën. Mrekullia e tij është pikërisht kjo bëmë magjike: ja pra, një libër. Do ushqej me të pesë mijë shpirtra, njëqind mijë shpirtra, një milion shpirtra, krejt njerëzimin. Te Krishti që mbrujti bukët, është Gutenbergu që mbrujti librat. Një farëmbjellës paralajmëron një tjetër. Universi pa librin, është shkenca në gjendje skicimi; universi me librin, është vetë ideali që shpërthen.

Jeta e tij personale është e mbushur me plasaritje e zhgënjime: t’i qasesh, do të thotë të kuptosh veprën. Të hysh në veprën e tij, do të thotë të kuptosh njeriun. Do të thotë të kesh kapur e mbërthyer shekullin e tij. Viktor Hygoi ishte i ndërgjegjshëm për këtë kur thoshte: Krejt vepra ime do të jetë një ditë një e tërë e pandashme. Po bëj një Bibël, jo një Bibël hyjnore, por Bibël njerëzore. Një libër të shumëfishtë, që përmbledh në vetvete një shekull, - ja se çfarë do të lë pas meje.

Volteri përmblodhi në veprën e tij shekullin XVIII, unë do të përmbledh dhe shekullin XIX. Del që këtej se, për të ardhmen, tërësia e veprës o do të merret në dorë, ose pastaj do të lihet mënjanë. Botuesit, të cilët, duke shpërdoruar fushën publike, do ta copëzojnë veprën time gjoja me përzgjedhje, me vepra të zgjedhura, teatër i zgjedhur etj., etj., unë po i quaj paraprakisht të marrë, sepse unë do të ekzistoj vetëm nëpërmjet së tërës. Nuk zgjidhet ky apo ai gur për një kube. Sepse po të bënit përzgjedhje, kupola e panteonit nuk do të ishte veçse një grumbull gurësh.

Deuteronomi* është i djerrë, Levetiku** nuk të zbavit dhe aq, kurse Apokalipsi nuk është fort i qartë; hiqini të tria këto nga Bibla dhe do shihni si do shembet gjithçka. Shiheni Volterin të tërë. Përndryshe, s’do shihni kurrgjë nga Volteri.
Me një fjalë, shiheni Viktor Hygoin të tërë. Përndryshe, s’do të shihni asgjë nga Viktor Hygoi.
 
Autorja
Sandrine Fillipetti është kritike letrare, autore e një biografie për Stendalin (botuar nga Folio biographie/Gallimard), si dhe e antologjive letrare të botuara nga “Mercure de France”: Shija e teatrit (2009), Shija e Operës (2010) dhe Shija e shkollës (2010). Ka botuar gjithashtu udhërrëfyes rreth Parisit dhe libra bashkëbisedimesh me figura të ndryshme publike.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Kosovë, nesër votohet për shkarkimin e kryekomunarëve në veri, policia gati për çdo skenar

Kosovë, nesër votohet për shkarkimin e kryekomunarëve në veri, policia gati për çdo skenar