Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, ka firmosur një ndryshim kushtetues që i pamundëson ish-kryeministrit Viktor Orbán rikthimin në pushtet.
Ndryshimi i miratuar nga parlamenti hungarez vendos një kufi maksimal prej tetë vitesh për mandatin e kryeministrit. Orbán ka drejtuar Hungarinë për një total prej 20 vitesh, çka do të thotë se ai nuk do të mund të kandidojë më për këtë post.
Amendamenti u miratua me shumicë dërrmuese në parlament të hënën dhe më pas iu dërgua presidentit për dekretim.
Kufizimi i mandateve ishte një nga premtimet kryesore të kryeministrit aktual Péter Magyar, i cili ka deklaruar prej kohësh se do të vendoste një limit për kohëzgjatjen në detyrë të kreut të qeverisë. Rregulli i ri do të vlejë edhe për vetë Magyar.
Në vendimin e tij, presidenti Sulyok e cilësoi ligjin, të njohur gjerësisht si “Lex Orbán”, si një rast pothuajse unik në Europë dhe në botë. Megjithatë, ai shprehu rezerva për efektet e tij, duke argumentuar se masa kufizon vullnetin e qytetarëve, por zgjodhi ta firmosë në vend që ta dërgonte për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Vendimi vjen në një kohë tensionesh mes qeverisë së re dhe presidentit. Kryeministri Magyar ka kërkuar largimin e Sulyokut, të cilin e akuzon se është një “kukull” e regjimit të mëparshëm të Orbánit.
Përplasja mes dy institucioneve u thellua më herët gjatë këtij viti, kur presidenti refuzoi kërkesën e Magyar për dorëheqje, duke paralajmëruar atë që ai e quajti një “krizë kushtetuese”.
Komente





