Vendimet më të fundit të Kryesisë së Partisë Demokratike për të përjashtuar drejtues të degëve në Elbasan dhe Durrës kanë ngritur më shumë pikëpyetje sesa kanë dhënë përgjigje. Jo vetëm për mënyrën e marrjes së vendimeve, por mbi të gjitha për mungesën e fakteve që do të justifikonin masa kaq të rënda. Akuza se ata kishin bashkëpunuar me Partinë Socialiste në zgjedhjet e fundit mbeti e pambështetur, ndërsa e vetmia “provë” e bërë publike është marrdhënia miqësore me një figurë të njohur të së djathtës, Ervin Salianjin.

Për shumë demokratë, këto vendime ishin edhe të padrejta edhe të pakuptueshme. Kjo sepse nuk përputheshin me logjikën e një partie që synon të rritet, të bashkojë dhe të fitojë. Përkundrazi, dukeshin si akte që përjashtojnë, ngushtojnë dhe dobësojnë partinë. Kjo ka sjellë pakënaqësi të dukshme brenda bazës, por edhe një ndjenjë konfuzioni: pse po ndodhin gjëra të tilla?

Për të kuptuar këtë duhet parë edhe më gjerë se vendimet e fundit. Që prej rikthimit të tij në krye të PD-së, Sali Berisha ndërmori një sërë ‘reformash’ dhe premtimesh që në letër dukeshin si demokratizim i thellë i partisë. Ndryshimet statutore, veçanërisht neni 46, u paraqitën si një standard i ri: një kryetar që nuk fiton zgjedhjet nuk mund të qëndrojë në detyrë. Një parim i fortë, që synonte edhe përgjegjshmëri edhe rotacion.

Por sot, ky nen duket sikur nuk ekziston. Rezultatet zgjedhore nuk prodhuan fitore, megjithatë nuk pati as reflektim dhe as zbatim të standardit të vendosur. Kjo krijon një hendek të madh mes asaj që u premtua dhe asaj që po ndodh realisht.

Një tjetër premtim i rëndësishëm ishte ai i primareve—një mekanizëm që supozohej t’i kthente vendimmarrjen anëtarësisë. Mesazhi ishte i qartë: kandidatët do të zgjidheshin nga baza, jo nga kryetari. Por edhe këtu, praktika tregoi diçka tjetër. Rezultatet e primareve nuk u respektuan plotësisht dhe listat përfundimtare u dominuan nga figura të afërta me Berishën. Efekti ishte i dukshëm duke sjellë një rezultat zgjedhor më të dobët se ai i vitit 2021 kur PD ishte nën drejtimin e Lulzim Bashës.

Rasti i Ervin Salianji është edhe më shumë ilustrues: nga simbol rezistence dhe “martir i fjalës së lirë” kundrejt qeverisë së Edi Rama, u kthye në problem politik sapo artikuloi nevojën për reforma të brendshme. Transformimi i shpejtë, nga hero në kundërshtar, sinjalizon një standard të paqëndrueshëm që imponon se vlera e individit nuk matet nga kontributi publik, por nga besnikëria ndaj qendrës së vendimmarrjes.

Të gjitha këto zhvillime krijojnë një pamje që për shumëkënd duket e pakuptueshme. Si mundet një politikan me përvojën e gjatë të Sali Berishës të marrë vendime që duken se dëmtojnë vetë partinë që drejton? Pse të përjashtosh figura pa prova të forta? Pse të shpallësh rregulla që nuk i zbaton? Pse të promovosh demokraci të brendshme dhe më pas ta kufizosh atë?

Përgjigjja mund të jetë më e thjeshtë, por edhe më e ashpër se sa duket: sepse kjo nuk është më politikë në kuptimin klasik. Është një logjikë tjetër funksionimi—ajo e një biznesi. Kur themi “biznes”, nuk nënkuptojmë organizim apo efikasitet, por një strukturë që përdoret për interesa të ngushta: ruajtje kontrolli dhe përfitime indirekte nga pushteti. Në këtë model, partia nuk funksionon më si një organizëm që kërkon të zgjerohet dhe të fitojë zgjedhje, por si një mekanizëm që garanton mbijetesën dhe interesat e kryetarit të saj.

Kjo logjikë reflektohet edhe në mënyrën se si ndërtohen marrëdhëniet me qeverinë dhe hapësirën publike. Një opozitë e kontrolluar dhe e parashikueshme i shërben edhe palës tjetër sepse krijon një ekuilibër ku pushteti nuk rrezikohet realisht. Në këtë kuptim, aksesi në media dhe gjuha e përdorur ndaj institucioneve si SPAK mund të lexohen si pjesë e një logjike më të gjerë: mbajtja e një status quo-je ku të dyja palët bashkëjetojnë pa e sfiduar seriozisht njëra-tjetrën. Pra, kemi një lloj ekuilibri ku kundërshtimi ekziston, por nuk shkon deri në rrezik real për pushtetin.

Në këtë kontekst, pyetja nuk është se pse PD nuk fiton, por nëse ajo funksionon si një parti politike apo si një strukturë që prioritizon mbijetesën e lidershipit. Nëse përgjigjja është e dyta, pritshmëritë duhet rikalibruar. Kjo sepse zgjerimi, hapja dhe meritokracia bëhen dytësore përballë dominimit të brendshëm të lidershipit.

Në fund, dilema është e qartë: a do të rikthehet opozita tek konkurrenca e hapur dhe rregullat e barabarta, apo do të konsolidojë një model ku mbijetesa e lidershipit mbizotëron mbi ambicien për ta kthyer PD-në shumicë? Nga Sali Berisha nuk pritet të ndryshojë kjo logjikë – për atë fokusi mbetet ruajtja e kontrollit dhe interesi personal, jo fitimi elektoral.