Pas humbjes 1-2 në Champions League kundër Bayern Munich në mesjavë, Real Madridi ka bërë një tjetër hap fals në shtëpi. Të premte 'Galaktikët' barazuan 1-1 kundër Gironas në 'Bernabeu' për raundin e 31-të në La Liga dhe në këtë mënyrë duket se 'i dorëzojnë' Barcelonës titullin kampion të këtij sezoni, me katalanasit që janë gjashtë pikë para në krye të renditjes dhe me një ndeshje më pak, derbin kundër Espanyolit që luhet sot.
Pjesa e parë e takimit në 'Bernabeu' ishte me raste, por Mbappe me shokë nuk mundën ta dërgonin dot sferën në rrjetë, madje francezi u ndëshkua edhe me karton të verdhë. Kësisoj fraksioni i parë u mbyll me rrjeta të paprekura.
Pjesa e dytë nisi me vrullin e madrilenëve, teksa kapiteni Federico Valverde kaloi Real Madridin në epërsi me një 'predhë' nga jashtë zone, pas një asisti të Diaz. Kur u duke se loja do fliste për djemtë e Arbeloas, ishin katalanasit e vegjël që barazuan me Thomas Lemar në minutën e 62-të. Edhe ky gol erdhi nga një goditje e fortë në kufijtë e zonës.
Pjesa e mbetur e ndeshjes nuk prodhoi gola dhe të dyja skuadrat ndanë nga një pikë. Real Madridi me 70 pikë mban vendin e dytë, gjashtë pikë pas Barcelonës kryesuese që ka një ndeshje më pak, atë kundër Espanyolit që luhet sot në orën 18:30. Nga ana tjetër Girona me 38 pikë mban vendin e 12-të në renditje.
Komente







