Ka rezultuar me spektakël pafund derbi i Madridit mes Realit dhe Atletico-s. Në Bernabeu ishin ‘el colchoneros’ atë të cilët realizuan të parët me Ademola Lookman, ndërsa në fund ‘galaktikët’ arritën të përmbysnin me rezultatin 3-2. Në pjesën e dytë Vinicius Junior barazoi me penallti para se fenomenali Valverde ti jepte për herë të parë avantazhin Real Madrid.

Pa kaluar shumë një gol brilant i Molina-s riktheu baraspeshën për Atletico Madrid, ndërsa si përfundim fitoren e vulosi Vinicius Junior, i cili është rikthyer i admirueshëm në ndeshjet e fundit për ‘galaktikët’. Në minutën e 77 Reali mbeti me 10 lojtarë, për shkak të kartonit të kuq të Valverde-s, i cili goditi nga pas Alex Baena-n për një të shkuar problematike mes tyre. Pavarësisht kësaj Reali arriti ta mbaronte fitoren dhe të ngjitej në kuotën e 69 pikëve, 4 më pak se Barcelona kryesuese.

Katalanasit për javën e 29 të La Liga-s arritën të fitonin minimalisht kundër Rayo Vallecano-s. Golin e vetëm, por shumë të vlefshëm për 3 pikët, e realizoi kapiteni Ronald Araujo.

Seria A Inter vijon të gabojë për javën e 3 rradhazi. Zikaltërit barazuan 1-1 kundër Fiorentina-s që lufton për mbijetesë edhe pse kaluan shumë shpejt në avantazh në Firence. Pio Esposito zhbllokoi me kokë, duke i dhënë epërsi zikaltërve, të cilët do barazoheshin në minutën e 77 nga Ndour. Ky rezultat e reduktoi në 6 pikë diferencën mes Interit kryesues dhe Milanit të vendin të dytë kur kanë mbetur edhe 8 javë kampionat.

Te fitoret pas 4 javësh kampionat u rikthye Roma, që likuidoi minimalisht 1-0 Lecce-n. Në Olimpico vulosi goli i talentit Robinho Vaz, i cili e ngjiti Romënn ë kuotën e 54 pikëve, po aq sa Juventusi i vendit të 5 dhe 3 pikë më pak se Como e vendit të 4, që është pozicioni i fundit që të dërgon në Champions League.