Arkëmorti nuk ishte simbol proteste. Ishte simbol i vdekjes së logjikës. Po ashtu dhe sulmi i Komisariatit nr. 3.

Kam mbështetur gjithmonë protestat qytetare dhe kam qenë edhe vetë pjesë e tyre. Sepse protesta është një nga shtyllat e demokracisë.

Edhe kjo protestë nisi me shpresë. Nisi me qytetarë të zakonshëm, me të rinj, me Gjeneratën Z, që kërkonin të dëgjoheshin. U përpoqën ta mbanin të pastër, paqësore dhe dinjitoze.

Por, fatkeqësisht, shumë shpejt mbi protestën ranë hijet e atyre që dinë ta përdorin pakënaqësinë e qytetarëve për interesa të tyre. Ata që nuk ndërtojnë, por ushqehen me kaosin.

Dhe lind një pyetje e thjeshtë:

Çfarë lidhjeje ka Gjenerata Z me dhunën e së enjtes?

Çfarë lidhjeje ka rinia shqiptare me sulmet ndaj institucioneve?

Çfarë lidhjeje ka një brez që kërkon të ardhmen me simbolikën e një arkëmorti?

Për mua, arkëmorti nuk përfaqësonte shpresën për ndryshim. Ai simbolizonte vdekjen e logjikës, të dialogut dhe të ideve.

Shqipëria ka nevojë për qytetarë që protestojnë, jo për njerëz që manipulojnë protestat.

Ka nevojë për argumente, jo për provokime.

Ka nevojë për të rinj që ndërtojnë, jo për hijet e një politike të vjetër që jeton vetëm duke krijuar përplasje.

Protesta është demokraci. Por vetëm kur mbetet protestë e qytetarëve dhe nuk kthehet në skenë për ata që ushqehen me kaosin.

Mendoj se fatkeqësish protesta nuk përfaqëson më zërin e qytetarëve, ajo po përdoret nga interesa të tjera.