Violinistja Ina Kosturi: Pse nuk e
firmosa peticionin kundër Ramës

Violinistja Ina Kosturi: Pse nuk e <br />firmosa peticionin kundër Ramës
Violinistja Ina Kosturi është një nga artistet që i është shmangur qën
drimit servilosës ndaj drejtuesve të institucioneve për të firmosur peticionin kundër Edi Ramës që të zhbllokojë 3 ligjet në Parlament. Fituese e çmimit të medias 2012 për Barazinë Gjinore, vetë artistja Kosturi përballet me të gjitha llojet e pabarazive dhe diskriminimeve, pjellë e një qeverisjeje institucionale dhe shtetërore që është e pazonja për të na çuar në rrugët e integrimit. "Doli në media udhëheqësi artistik (David Tukiçi-red), diskutoi për kalendarin e Stinës Koncertore të RTSH-së.

Përsëri koncerti im me orkestër mungonte, ndonëse ishte vepër premierë. Unë vazhdoja epopenë e trokitjes në zyrën e udhëheqësit artistik. Nuk kuptoj pse firmos ky njeri që Rama të zhbllokojë 3 ligjet, kur së pari ky duhet të zhbllokojë stinën koncertore dhe ta çojë drejt integrimit evropian, ku institucionet funksionojnë me audicione, pa miqësira, me drejtësi dhe aftësi." E pyesim se çfarë e ka shtyrë të gjykojë në këtë mënyrë dhe Ina Kosturi rrëfen për peticionin, qëndrimin e saj si artiste dhe intelektuale ndaj këtij peticioni, i cili u shpërnda në të gjitha institucionet e shtetit, firmosur më së shumti nga frika e artistëve se mos ngeleshin pa punë, po të mos firmosnin...

Ina, si dolët për udhëheqësin artistik të RTSH-së në konkluzionin se "pse firmos ky njeri që Rama të zhbllokoje 3 ligjet, kur se pari duhet të zhbllokojë stinën koncertore dhe ta çojë drejt integrimit evropian..."?
-Së pari, dua të shpjegoj se stina koncertore e Orkestrës së RTSH-së është një aktivitet i rëndësishëm i muzikës klasike, asaj simfonike e instrumentale, e vetmja që i ofrohet instrumentistëve solistë në Shqipëri për të promovuar talentin e profesionalizmin. Ndonëse realizohet në të njëjtin institucion, madje me profesioniste krahasuar me Festivalin e këngës, ka traditën e saj të konsoliduar ndër vite, funksionon në një mënyrë të vjetruar dhe gati primitive. Nëse për festivalin, këngëtarë të rinj, të rastësishëm ndonjëherë, trajtohen me shumë kujdes për të plotësuar një procedurë pranimi, konkurrimi, audicioni, pra ka një përpjekje, apo në aparencë ka rregulla të vendosura, stina konceptore, ku debutojnë profesionistë, nuk i nënshtrohet pothuaj asgjëje. Ajo ka ngelur në këtë format të pandryshuar bashkë me ndërrimin e udhëheqësve artistikë, pa mundur të ngjasë me një stinë koncertore të programuar në bazë të kërkesave, afateve, programeve, dorëzimit të CV apo audicioneve, metodë që funksionon në gjithë botën.

Diskutojmë sot integrimin evropian, ndërkohë ky integrim duhet filluar nga gjërat e thjeshta, ato të zakonshme, nga kontributi qoftë dhe modest i gjithsecilit. Mendoj se udhëheqësit artistikë, përgjegjës për kontaktet dhe mbarëvajtjen e kësaj stine, duhet të shqetësohen për standardet, për faktin se integrimi evropian nuk është parullë e dikurshme që duhet cituar për ritual. Integrimi duhet filluar nga vetja. Stina koncertore mbahet bllokuar për shumë instrumentistë që duan të interpretojnë si solistë me orkestrën e Radios, madje më shumë se një festival artistësh, i nënshtrohet dashamirësisë, miqësive, pse jo dhe bllokohet nga keqdashësit, ambiciozët e të paaftët. E gjithë kjo është absurde. Instrumentistët brenda vendit, të ndodhur në këtë situatë ndjehen si në faj që gjenden në Shqipëri. Ka një tendencë për të sjellë shqiptarë me nënshtetësi të huaj që kur kanë nivel të lartë është kënaqësi, në të kundërt bëhen të bezdisshëm. Mungesa e kritikës dhe parametrat e ndryshme të kësaj muzike nga kënga, lënë vend për hatëre, rrëmujë pse jo deri dhe fyerje për ata që kërkojnë të luajnë në koncert. Ka një prezencë të të njëjtëve njerëz, të të njëjtit instrument, programeve të njëjta, ndërsa duket se shmanget violina soliste, justifikuar me faktin se nuk ka kërkesa.

Cila ka qenë ecuria e stinës koncertore dhe roli juaj në këtë eveniment?
-Numri më i madh i koncerteve të realizuar për hir të së vërtetës ndër vite ka qenë ai i pianos soliste, sinkron çuditërisht dhe me punësimet në Universitetin Arteve, ndërsa violina me një numër shumë më të pakët koncertesh është përfaqësuar kryesisht me instrumentistë shqiptarë që vijnë nga jashtë, dhe shpesh koncertet kanë qenë në nivele të diskutueshme për sa i përket cilësisë së interpretimit.

Jam gjendur në media me titujt si "Një vizë për në Radio", pasi kjo metodë më kujton kohën e vizave, ndonëse flasim për një stinë koncertore brenda Shqipërisë, ku të gjithë duhet të jemi të barabartë dhe kriteri i vetëm duhet të jetë aftësia. Pa përmendur shkresat e mëparshme, kur kanë qenë të tjerë udhëheqës artistikë, sapo është emëruar udhëheqësi artistik aktual kam trokitur për të kërkuar të drejtën e interpretimit si soliste.

Në momentin e parë m'u pranua kërkesa për realizimin e koncertit, ndërsa kur diskutuam për datën ajo ishte në vitin 2013, madje më thanë se po punonin me plane 5-vjeçare, thua se udhëheqësin artistik e kishin sjellë nga jashtë për të ndërtuar ndonjë vepër të madhe energjetike, ndonjë hidrocentral. Batuta ime për këtë datë, ishte shprehja se në 2013 me violinë do shkoja të inauguroja tunelin e Kërrabës!

Filloi dhe Tuneli të ndërtohej, po vijnë dhe zgjedhjet, veçse në asnjë kalendar nuk gjej koncertin tim me orkestër, të katërtin të studiuar, pasi nuk mund të mbaj një program kaq gjatë, ndonëse kam trokitur sërish me shpresën se një artist një ditë do më kuptonte dhe normalisht do realizohej koncerti.

Si je njohur me peticionin qe kanë firmosur artistet për tre ligjet. Cili është mendimi juaj rreth tij?
-Kam lexuar në internet, kam ndjekur lajmet e dy kampeve, shtim të numrit për njërën palë dhe sharje të militantëve të palës tjetër. Mendoj se çështja më me rëndësi është integrimi i Shqipërisë dhe në qoftë se integrimi pengohet nga kalimi i tre ligjeve në parlament, ato ligje duke përfshirë dhe vërejtjet e të gjitha palëve mbi to duhet të kalohen sa më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, pa parë ngjyra dhe interesa partiake. Por secili nga ata që firmos një peticion për shpejtimin e pranimit të Shqipërisë në familjen evropiane, para se të hedhë një firmë duhet të bëjë bilancin e veprimtarisë së tij në fushën ku ai jep kontribut për të parë se çfarë ndihmese , qoftë dhe modeste jep gjithsecili në këtë proces.

Ke firmosur ti vetë?
-Jam dakord me integrimin, askush nuk mendoj se duhet të jetë kundra. Nuk bëj pjesë në radhët e artistëve që i ftojnë në të tilla iniciativa, as nga njëra e as nga pala tjetër. Me repertorin e muzikës së vjetër shqiptare mund të kontribuoja në koncertet e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë, kërkova të luaja me orkestrën e femrave një pjesë për violinë solo që kam kompozuar vetë, po nuk mora asnjë përgjigje, nuk më ftuan askund dhe nuk kam ndërmend të lus askënd. Në të kundërt nuk do isha rast i rrallë, Profesor i Asociuar, e papunë prej 10 vjetësh.

Si ka ndikuar çmimi i medias për Barazinë Gjinore. A e ke arritur këtë vetë si artiste femër në "mjedisin maskilist" shqiptar?
-Çmimi i barazisë gjinore është një çmim për të cilin duhet të krenohem dhe më ka gëzuar po aq çmimi që kam marr në Itali si violiniste. Për sa i përket diskriminimit, kjo gjë mishërohet me lënien time 10 vjet pa punë. Unë kam dorëzuar një kërkesë pranë Zyrës për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Duket se kam qenë në një mision të dyfishtë si individ, artiste e diskriminuar në një Universitet Shtetëror dhe si gazetare për të prekur nga afër realitetin e trishtë shqiptar, ku për çudi Zyra për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ishte zyra ku diskriminoheshe më çuditshëm. Në Shqipërinë ku ankohemi për drejtësi, për luftën antikorrupsion kish marrë tatëpjetën dhe zyra që duhej të na mbronte.

Përgjigjja nga ky institucion ishte një shkresë mjerane, me pasaktësi qw mbante firmën e komisioneres, ndërsa në një periudhë 6-mujore me dhjetëra herë më duhej t'i shpjegoja inspektorit të kësaj çështjeje si funksiononte një shkollë arti dhe si shkeleshin rregullat e vendimet e këshillit të ministrave. Gjithë guximi im dhe pwr tw shkuar atje, tregoi se të tilla institucione figurojnë e funksionojnë në mënyrën më të rëndë, duke u bërë palë me diskriminuesit pa u shqetësuar për faktin se kisha një titull akademik, e vetmja femër violiniste midis gjithë të diplomuarve pas 1990, 2 diploma, një shqiptare e një të huaj, 25 koncerte recitale si soliste, 4 libra të botuar, CV të shkëlqyer. Kam dyshuar në kanë ndërgjegjeje këta zyrtarë, e në mos këtë, a kanë profesionalizëm, e në mos a kanë turp, e nëse s kanë, a nuk do ish më mirë të mësonin të gënjenin?

E nëse s dinë të gënjejnë siç duhet, a nuk ju dhimbset emri, vetja, që më dërgojnë një shkresë prej shumë faqesh ku gënjeshtra nga fillimi në fund bëhet bajate ? A mundet që pranë Kuvendit të Shqipërisë të ketë një zyrë, ku institucionalizohet e keqja, ligësia. Ajo që më tingëllon më qesharake është konstatimi që citohet në vendimin e kësaj zyre, se pala që akuzohej e prapësoi paditësen, thuajse ballafaqimi që u realizua në këtë zyrë ngjante me ndeshje futbolli dhe emocionalisht zyra e diskriminimit po bën tifozllëk. Tre futbollistët përfaqësues të Universitetit të Arteve, dy zv rektorë dhe një jurist, pas triblimeve të njëpasnjëshme e prapësuan apo zbythën violinisten që shkruante. Ndeshje e shitur... Kaq e madhe na qenka miqësia e inspektorit te ZBD me përfaqësuesin e institucionit shtetëror, sa të degradojë misionin e një zyre, emrin e një institucioni që duhet të jetë model. Fatkeqësisht ky është realiteti shqiptar.

Shkrimi u publikua sot në gazetën e përditshme Shqiptarja.com(print), 19 janar 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det, u arrestua sot! Do i vendosnin tritol anijes 'Finikas Lines', ishin konkurentë në linjën Sarandë-Korfuz

Del fotoja e mikut të biznesmenit që vdiq det, u arrestua sot! Do i vendosnin tritol anijes 'Finikas Lines', ishin konkurentë në linjën Sarandë-Korfuz