Muajt e verës, një grup personazhesh të njohur të ekranit, përveçse shfaqën episode nga pushimet, reklamuan masivisht në rrjetet sociale, me zë e figurë një aparat që fare thjesht zbulonte nëse fruta perimet kishin brenda normave nivelin e nitratit.

Pajisja e cila u përhap në duart e disa personazheve, nga moderator, aktor, dietologë e blogerë, mban mbishkrimin “GreenTest Albania”. Aparati kinez sjellë në vendin tonë nga Klevis Begaj, një personazh ky i ftuar edhe në media për të treguar se sa të sigurt jemi nga ushqimet që konsumojmë, është produkt i një biznesi të regjistruar në QKB në vitin 2019, tashmë me statusin i pezulluar.

Klevis Begaj

Moderatorët Blendi Fezviu e Alketa Vejsiu, aktori i angazhuar në politikë Florian Binaj, dietologia Anila Kalleshi dhe nutricionistja Matina Çobo, e personazhe të tjerë që GreenTest Albania shfaqte në faqet e saj në rrjetet sociale, reklamuan pajisjen duke e testuar live në profilet e tyre në fruta dhe perime të ndryshme, ku përmbatja e nitratit herë dilte në normë, dhe herë shumë mbi normën e lejuar duke ngritur alarmin se po helmohemi nga prodhimet tona.

VIP-at që reklamojnë pajisjen 'Green test' në rrjetet sociale, marrë nga faqja zyrtare e 'GreenTestAlbania'

Gazetari Blendi Fevziu duke reklamuar në rrjetet sociale pajisjen 'GreenTestAlbania'

Dietologia Anila Kalleshi duke reklamuar në rrjetet sociale pajisjen 'GreenTestAlbania'

Por sa e saktë është kjo aparaturë? Përgjigjen e jep deputeti socialist Erjon Braçe i cili thotë se ka marrë përgjigje zyrtare nga institucionet shqiptare, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Instituti i Sigurisë Ushqimore e veterinare dhe Inspektoriati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut. Duke cituar institucionet, Braçe thotë se pajisja nuk ka asnjë certifikim për përdorim masiv, nuk bën analizë biologjike e kimike të produktit, dhe nuk është ndërtuar mbi asnjë bazë të direktivave të BE-së.

Mbi këto fakte, Braçe thotë se e gjitha ishte një fushate e madhe kundër prodhimit vendas për të shitur ca lodra kineze pa asnjë bazë shkencore e ligjore, siç ai thekson.

“Kanë përfshire prezantues, okuliste, nutricioniste, apo dietologë, thotë njëra këtu unë tani e përdor për krijimin e dietave ushqimore.... Apo aktorë të mëdhenj që janë futur në politikë që thonë që e zbulova rastësisht në internet dhe tani e di se cjemi duke konsumuar në familje. Këta janë paguar të gjithë për këtë fushatë. Kanë bërë dëm kolosal për bujqit”, thotë Brace

Për të garantuar cilësinë e produktit shqiptar, Braçe flet me shifra.

“Deri në fund të korrikut, bujqit tanë kanë prodhuar e eksportuar 200.000 tonë fruta e perime te freskëta me një vlerë të faturuar 110 milione euro! Nuk eshte kthyer mbraps asgjë. Janë analizuar ne laboratorë ekselence ne vendet e BE”, shprehet deputeti.

Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes se Tregut në përgjigjen dhënë deputetit Brace thotë se deri tani janë gjetur dy kompani që kanë tregtuar të tilla pajisje, por ato janë me status të pezulluar nga ato vetë.

Megjithatë, “GreenTest Albania” vijon të shfaqë postime në Instagram me aparaturën kineze.