Protesta e Partisë Demokratike më 17 prill në Tiranë, do të mbahet mend edhe si një ndër protestat kombëtare më të injoruara nga qytetarët në vitet e fundit.

Pjesëmarrjen minmale, analisti Albatros Rexhaj e shpjegon me besimin e ulët që shqiptarët kanë tek Partia Demokratike, dhe që vjen vazhdimisht në zbritje. I ftuar në “Studio Live” me Nertil Agalliun, Rexhaj tha se dhuna është një ndër arsyet kryesore përsë qytetarët nuk i përgjigjen thirrjes së Sali Berishës për protestë. Ai shtoi se opozita nuk ka fituar ende besimin e shqiptarëve.

“Shqiptarët janë të njohur për aftësinë e tyre për të protestuar, për t’u ngritur dhe për të shkundur themelet e shtetit. E kanë bërë këtë përballë komunizmit, vitet e hershme ’90, e kanë bërë në vitin 1997. Kanë protestuar dhe më pas, pamë që protestuan edhe studentët pa asnjë ndërhyrje politike, i mbushën sheshet. E gjitha kjo na tregon se kur njerëzit besojnë se kauza është e drejtë, atëherë nuk ka forcë politike apo tjetër që mund t’i ndalë ato”,- tha Rexhaj.

“Dhuna nuk është diçka që i ndihmon kauzës së opozitës. Momenti kur Berisha del me flamur dhe pastaj fillojnë fishekzjarret, mund të jetë me qëllim, mund të jetë pa qëllim, por fakti që ka ndodhur disa herë ka krijuar përshtypjen se ai është sinjali për të filluar bombardimi me mjetet piroteknike. Kjo nuk është diçka që po le shije të mirë”,- shtoi ai.

Nga ana tjetër, Anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, është i bindur se protesta të tilla janë e afrojnë më shumë rotacionin.

“Unë mendoj që PD-ja është në rrugën e duhur. Pastaj çfarë duhet të bëjë PD-ja, si duhet ta sigurojë PD-ja, dhe a duhet të ribëjë PD-ja veten etj etj, këto janë sekondare. Pse janë sekondare? Sepse ne nuk jemi në kushtet e një gare, që t’i kërkojmë llogari opozitës për gjendjen në të cilën qeveria e ka çuar Shqipërinë. Ne jemi në kushtet që duhet të kërkojmë një zgjidhje politike, pastaj partia më e mirë le ta fitojë”,- tha Hoxha.