Virgjëresha shqiptare

Virgjëresha shqiptare
Në bjeshkët e Malësisë së Madhe ata filluan ta thërrisnin “Lotara” pas përpjekjeve të saj, për t'u treguar se si quhej. Në këmbë kishte një plagë që e kishte marrë kur ra mbi një gur të mprehtë në çastin kur qëlluan mbi shoqëruesin e saj. E kishin zënë ethet. Ashtu e mbledhur me batanije e lidhur te shpina e një kali, ajo nuk kishte asnjë ide se sa kohë u ishte dashur atyre ta transportonin përmes maleve. Kohë pas kohe i jepnin ujë nga njëherë raki, një lloj pije shumë e fortë. Ndjeu aromën e pishave. Në varkë hapi sytë e pa yjet që shkëlqenin e shuheshin duke ndryshuar vendet e në çast i erdhi për të vjellë. Më vonë kuptoi se do të kishin qenë duke udhëtuar mbi liqen.

Liqeni i Skutarit ose i Shkodrës. Ndaluam në mes të kallamave. Batanija ishte mbushur plot me insekte të cilat kishin mundur të futeshin Brenda leckës që I kishin lidhur këmbën. Në fund të udhëtimit, megjithëse s’kishte sit a dinte që ishte fundi, ajo qëndronte e shtrirë në një kasolle që ishte ngjitur me shtëpinë e madhe të quajtur kulla. Kasollja u përkiste të sëmurëve dhe atyre që ishin në grahmat e fundit të jetës. Nuk përdorej për lindjet, pasi gratë në këtë vend lindnin ku tu qëllonte: nëpër fushat e misrit, ose ndanë shtigjeve ku çapiteshin të ngarkuara.

Ajo rrinte shtrirë, ndoshta prej javësh, në një shtrat, formuar nga një pirg fieri. Ndihej rehat dhe ishte shumë kollaj ta ndërroje kur ndotej apo gjakosej.
Një plakë e quajtur Tima kujdesej për të. Ia lyente plagën me një pomadë të përgatitur me dyllë bletësh, vaj ulliri dhe rrëshirë pishe. Disa herë në ditë ia ndërronin leckat e ia lanin plagën me raki. Lotara shikonte perde të zeza të varura në trarët e tavanit e kujtonte se ndodhej në shtëpinë e saj me të ëmën (tashmë të vdekur) që kujdesej për të. “Përse i ke varur ato perde ashtu?” tha ajo. “Ato duken të llahtarshme”.

Në të vërtetë ajo po shikonte rrjetat e merimangave, të trasha e të nxira nga tymi: pëlhura shekullore që askush s’i kishte prekur.
Në atë gjendje jermi, asaj i dukej gjithashtu sikur po i shtypnin fytyrën me ca dërrasa të gjera, sit ë ishin dërrasa arkivoli. Vetëm kur erdhi në vete pa një kryq dërrase, që një burrë ia mbështeste te buzët që ajo ta puthte. Burri ishte një prift françeskan, i gjatë, fytyrëvrazhdë, me vetulla e mustaqe të zeza dhe kutërbonte një erë të rëndë. Përveç kryqit kishte një revolver që ajo më vonë e mësoi se ishte i markës Browing. Vetëm duke e parë ai e ndjeu se ajo ishte kaure, jo myslimane, por nuk arriti të kuptonte që Lotara mund të ishte heretike. Ai dinte pak anglisht, por e shqiptonte në një mënyrë të tillë saqë ajo nuk kuptonte asgjë. As ajo nuk e fliste gjuhën e këtyre gegëve. Pasi I pushuan ethet, ata mundën të merreshin vesh së bashku kur ai filloi t’i flasë italisht.

Ajo kishte mësuar italisht në shkollë dhe kishte gjashtë muaj që udhëtonte nëpër Itali. Ai ishte i vetmi me të cilin arriti të kuptohej, prandaj mendoi se mund të priste më shumë prej tij. Cili është qyteti më i afërt? Pyeti ajo dhe ai iu përgjigj, Shkodra. Shko atje të lutem, tha ajo, shko dhe gjej ku është konsullata britanike, nëse ka një të tillë. Unë I përkas perandorisë britanike. Thuaju që jam këtu. Nëse nuk ka konsullatë angleze, shko në polici.

Ajo nuk e kuptonte se sido që të ishin rrethanat, askush nuk do të raportonte në polici. Nuk e dinte që tani ajo i përkiste këtij fisi, kësja kulle edhe pse rrëmbimi i saj nuk kishte qenë qëllimi i tyre, por ishte një ngatërresë e sikletshme për ta.
S’ka turp më të madh se sa të sulmosh një grua.

Kur qëlluan e i vranë shoqëruesin, ata kujtuan se ajo do ta kthente kalin e do t’ia mbathte me të katra poshtë malit në drejtim të Tivarit. Por kali i saj u frikësua, u pengua nëpër gurë dhe ajo ra e vrau këmbën. Ata nuk kishin rrugë tjetër veçse ta merrnin me vete përmes kufirit të Cerna Gorës (që do të thotë Mali i Zi, ose Montenegro) dhe Malësisë së Madhe.
“Po pse grabitën shoqëruesin tim dhe jo mua?” pyeti ajo duke menduar vetvetiu se motive ishte grabitja. Solli ndërmend pamjen e uritur të burrit e të kalit dhe valëvitjen e pëlhurës së bardhë me të cilën kishte lidhur kokën. “Oh, ata nuk janë hajdutë!” tha i habitur Françeskani. “ata janë njerëz të ndershëm. Ata e vranë sepse janë njerëz të ndershëm. Ata e vranë sepse janë në gjak me të. Me shtëpinë e tij. Ky është ligji i tyre.”

Ai i tregoi asaj se djali që u vra, shoqëruesi i saj, kishte vrarë një burrë të kësaj kulle. Kjo do të vazhdojë kështu siç kishte vazhduar prej shumë kohësh. Këtu gjithnjë lindin më shumë djem. Këta mendojnë se kanë djem më tepër se çdo popull tjetër në botë dhe ndodh pikërisht kështu për ti shërbyer kësaj çështjeje thelbësore.
“Është e tmerrshme”, përfundoi Françeskani, “por e bëjnë këtë për nderin e tyre e të familjes. Ata janë gjithnjë gati të vdesin për nderin.”
“Shoqëruesi im nuk duhet të ketë qenë kaq i gatshëm, derisa ia mbathi në Cerna Gora,” iu përgjigj ajo.
“Po ç’rëndësi ka ky fakt?” tha Françeskani. “Edhe sikur të kishte shkuar në Amerikë, përsëri nuk do të kishte ndonjë rëndësi”.

Një natë, ndërsa Lotara po i bënte një miku për të ngrënë (gjithnjë kishte miq të ftuar rrotull tryezës së ulët, sofrës) ajo vuri re duart e tij të vogla dhe krahët pa asnjë qime edhe pse nuk ishte një djalë i ri. Lëkurën e kishte si zhabë, me rrudha e pa mustaqe. Ajo I mbajti vesh zërit të tij kur foli e iu duk i ngjirur, si zë femre. Por ai pinte duhan, ulej ën sofër me burra e mbante pushkë.
“Burrë është ai?” pyeti Lotara gruan me të cilën shërbente. Gruaja tundi kokën e nuk e hapi gojën se mos e dëgjonin burrat. Por cucat e reja që ua kapi veshi pyetjen nuk u treguan kaq të kujdesshëm. “Burrë është ai? Burrë është ai?” imitonin ata Lotarën. “Oh, Lotara, ti je e marrë! A nuk mund të dallosh një Virgjëreshë?”

virgjeresha

Ajo nuk bëri ndonjë pyetje tjetër. Ca ditë më vonë, kur pa Françeskanin, e ndoqi nga pas për ta pyetur. Ç’do të thotë të jesh virgjëreshë? Asaj i duhej të vraponte pas tij, pasi ai nuk ndalonte e as fliste më me të siç bënte kur ajo ishte e sëmurë në kasollen e vogël. Ajo ishte e zënë me punë kurdoherë që ai do të vinte në kullë. Megjithëse asi vetëm sa i përshëndeste gratë e ulej me burrat. Kur e shihte që largohej në drejtim të kishës prej druri krejt të zhveshur, dhe barakës që ishte ngjitur me kishën e shërbente si qelë, ajo e ndiqte me nxitim nga pas, poshtë shtegut që kalonte përmes pyllit me shqeme.
Ai i tha që është një grua e bërë si burrë, e cila nuk është e martuar dhe është betuar para disa dëshmitarëve që kurrë nuk do të martohet; vishet si burrë dhe ka pushkën e kalin e saj (natyrisht nëse mund ta blejë) dhe jeton ashtu siç i pëlqen; zakonisht, ajo është e varfër, kështu që nuk ka ndonjë grua që të punojë për të. Asnjeri nuk e shqetëson dhe ajo mund të ulet e të hajë në sofër së bashku me burrat…..

Shkrimi u publikua sot (13.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë

Aksidentohet djali i Brad Pitt dhe Angelina Jolie, pëson dëmtime në kokë