Me ndryshimin e temperaturave, pranvera po shoqërohet me një shtim të ndjeshëm të rasteve me virozat e stinës. Infeksionistët kanë konstatuar një qarkullim ë lartë virusesh, me dominimin më të lartë nga gripi i tipit A. Simptomat janë të shumta, që nga temperatura e lartë, e deri tek dhimbjet e forta të muskujve.

“Në këtë periudhë viroza kryesore që kemi është Gripi A, kemi infeksionet e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, rinitet, kemi mononukleozën infektive, vazhdon që të kemi akoma COVID-19 e shumë viroza të tjera që janë më të lehta. Më i rëndi nga të gjithë aktualisht është gripi A që mund të jetë me një temperaturë të lartë deri në 39°C. Shoqërohet me një rinit nga hundët, me skuqje sysh, dhimbje të mëdha trupore, dhimbje abdominale. Mund të ketë vjella, mund të ketë diskomfort abdominal, kollë e fuqishme.”, thotë Alma Hoxha, infeksionistë në qendrën shëndetësore numër 3 në Tiranë.

Mjekja infeksioniste e sheh shqetësues shtimin e komplikacioneve në krahasim me sezonet e kaluara.

“Ne kemi pasur raste që kanë qenë me pneumoni, kemi pasur encefalite nga gripi, kemi pasur miocardite. Ndërlikimet i kanë më të shpeshta se viruset e tjera, krahasuar me vitet e tjera. Mund të themi që ka pasur pneumoni dhe temperaturë në më shumë raste sesa herët e tjera.”, thotë mjekja.

Thirrja e saj për pacientët është që të mos e neglizhojnë gripin, por nëse temperatura e lartë vijon përtej 3 ditësh, të kërkohet ndihmë mjekësore.

“Duhet të drejtohen te mjeku në rastin që temperatura nuk ulet, është mbi 39, kur dhimbja e kokës është shumë e fuqishme dhe në rastin që zgjat mbi tre deri në pesë ditë.  Kushte shtëpie ne rekomandojmë vetëm një paracetamol në qoftë se temperatura është mbi 38. Të pinë lëngje shumë, të hapin dritaren, ta ajrosin vendin dhe të bëjnë pushim. Gripi do regjim shtrati, domethënë nuk do aktivitet fizik. Në momentin që ne bëjmë aktivitet fizik, kemi një dhimbje muskujsh”, shprehet doktoresha.

Grupet më të rrezikuara mbeten fëmijët dhe të moshuarit, për të cilët kërkohet kujdes i shtuar.