Patatja dhe qepa, dy produkte bazike në kuzhinë po shiten shumë shtrenjtë edhe pse tani është kulmi i sezonit dhe konsumatorët duhet ta ndjenin rënien e çmimit. Report Tv intervistoi fermerët e Maliqit, ndër prodhuesit më të mëdhenj në vend, të cilët pranuan se kanë shtrenjtuar çmimet pasi këtë vit prodhimi është më i dobët.

Patatja dhe qepa në fshatin Zvirinë të Maliqit po shiten 20% më shtrenjtë se vitet e kaluara. Fermerët janë të kënaqur pasi prodhimi po tërhiqet shpejt nga tregtarët e shumicës.

Aktualisht patatja shitet me shumicë 50 deri në 55 lek për kg, ndërsa në tregun e pakicës, konsumatorët e blejnë me 70 lek për kg. Ndërsa qepa në tregun e pakicës së Korçës shkon deri 100 lek për kg.

Por çfarë ka ndikuar në rritjen e çmimeve?

Vetë fermerët pohojnë se këtë vit, për shkak të lagështirës kanë marrë më pak prodhim në këto dy kultura bujqësorë, e për pasojë kanë shtrenjtuar çmimet.

“Prodhimet nuk kanë qenë të mbara sepse pranvera kishte lagështi. Por çmimet janë të mira (të larta). Po flas për qepën e pataten, tani do fillojë dhe shitja e mollëve. Viti më i mbarë prej 32 vitesh, molla patatja dhe qepa”, tha një fermer.

Për fermerët e zonës së Zvirinës problem mbetet krahu i punës pasi rinia ka ikur në emigrim.

“Fuqi punëtorë nuk ka këtu, por vijnë nga fshatra të tjerë. Nga zona të ndryshme. Pagesa është 20 mijë lek/dita (të vjetra”, thanë ata.

“Fuqi punëtore nuk ka vuajnë fshati këtu. Vijnë nga fshatra të tjerë. Pagesa është 20 mijë lek në ditë për punëtorët e krahut. Kanë ikur të rinjtë, ndaj s’ka punëtorë. Unë kam shtëpinë e djalit dykatëshe por s’ka njeri brenda, I kam në emigrim”, u shpreh një fermer.

Në këtë fshat të Maliqit janë të kultivuara 50 hektarë me patate dhe 30 hektarë me qepë. I gjithë prodhimi po shitet, pa mbetur stok si vitet e tjera. Ndërsa së shpejti fermerët nisin vjeljen e mollëve, pasi zona njihet dhe për pemtari. Në Zvirinë prodhohen 5400 kuinatal mollë, ndërsa çmimi fillestar i shumicës është 80 lek për kg.