TIRANE-Gjatë viteve të tranzicionit, gjatësia e popullsisë shqiptare, ashtu si dhe vendeve të tjera postkomuniste është shkurtuar më 1.1 centimetër.

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka publikuar sot Raportin e Tranzicionit 2016-2107, përmes të cilit mat progresin e reformave dhe zhvillimin në 36 vende. Raporti analizon situatën ekonomike e sociale të qytetarëve në këto vende, që nga rënia e komunizmit deri në vitin 2017, por edhe efektin që kanë pasur në zhvillimin e tyre fizik.

Franceska Dalla Pozza, një prej ekonomisteve të BERZH, e shpjegoi rënien e gjatësisë me vështirësitë e shumta me të cilat janë përballur vendet postkomuniste gjatë viteve të para të tranzicionit. 

 ''Për rastin e personave të lindur gjatë viteve të parë të tranzicionit, vërejmë se mesatarja rritet me kalimin e viteve, por bie në vitet e tranzicionit, për t'u shtuar përsëri më pas. Vërejmë se njerëzit e lindur gjatë viteve të para të tranzicionit janë 1.1 centimetër më të shkurtër se të tjerët. Në këtë mënyrë, tranzicioni ka qenë pa dyshim një moment i vështirë për qytetarët'',-u shpreh Franceska Dalla Pozza. 
 
Në rastin e Shqipërisë, raporti vlerëson pozitivisht reformat dhe politikat ekonomike të ndërmarra. I pranishëm gjatë prezantimit të raportit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, theksoi se raporti e cilëson sistemin tonë bankar si të qëndrueshëm e mjaft likuid.

 ‘’Raporti evidenton gjithashtu faktin e rëndësishëm se sistemi bankar është likuid, i mirëkapitalizuar dhe i aftë për të përballuar goditjet që mund të vijnë nga sektori i jashtëm. Ai identifikon  kredinë e keqe si rrezikun kryesor jo vetëm për shëndetin e sistemit financiar dhe bankar por edhe për sa i takon transmetimin të politikës monetare në rritjen e kredisë për sektorin privat’’,-u shpreh Sejko.
 
Raporti “Tranzicioni Gjithëpërfshirës: Mundësi të Barabarta në një Botë të Pabarabartë”, i BERZH është fokusuar te pabarazia ekonomike dhe përfshirja e qytëtarëve në përfitimet që bart zhvillimi i ekonomike.

Raporti i BERZH konludon se tashmë është ngushtuar hendeku i lumturisë mes vendeve në zhvillim dhe atyre të pasura, por se qytetarët në shtetet postkomusite ende vuajnë nga pabarazi të forta ekonomike.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com