Këtë nëntor doli në qarkullim libri i autorëve Jonathan Clegg dhe Joshua Robinson, i titulluar Messi vs Ronaldo. Veç të tjerave dy autorët kanë marrë dëshmi personale të trajnerëve dhe drejtuesve të Cristiano Ronaldos në kohën e akademisë te Sporting. Ronaldo tallej nga shokët e ekipit dhe për këtë disa herë kishte menduar të largohej nga skuadra, duke qarë dhe mbyllur në dhomë. Fëmijët e tjerë asokohe e tallnin CR7 për theksin e tij nga Madeira. Në dëshminë e drejtuesve të akademisë së Sporting dalin detaje edhe për vendosmërinë e Ronaldos për t'u bërë i suksesshëm, apo deri te braktisja e shkollës.
“Gjithmonë kam ndjerë se nuk jam krijuar për shkollë. Pra, çfarë kuptimi ka?”, kujtoi drejtori i akademisë t'i kishte thënë Ronaldo. Në libër përmendet edhe fakti se Ronaldo nuk u lejua të stërvitej në palestrën e klubit, me portugezin që në fund theu rregullat.
“Ne nuk i stërvisim kurrë fëmijët në palestër. Ky është një nga sekretet e karrierës së gjatë të lojtarëve tanë. Është e rëndësishme që ata të rriten natyrshëm”, tha kreu i akademisëm Aurelio Pereira.
Ronaldo nuk iu bë vonë për rregullat. Ai u arratis natën, hyri fshehurazi në palestër dhe u stërvit vetëm atje. Një ditë ai u vu re dhe u ndëshkua. Cristiano ishte aq i pandalshëm sa vendosi të ngrinte kova me ujë dhe madje lidhi pesha të ndryshme në kyçin e këmbës. “Ai gjithmonë donte më shumë”, thotë trajneri i fitnesit Carlos Bruno.