Viti 2022 mbyllet me inflacion të lartë, BSH: Ndikojnë goditjet e tregut të huaj! Çmimet e larta gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve, bizneset të tregojnë kujdes

Inflacioni i lartë sipas Bankës së Shqipërisë ka përfshirë gjithë ekonominë, dhe ka arritur nivelet më të larta historike dhe do të kulmojë në tremujorin e tretë të këtij viti, ndërsa në fund të 2022 rritja do të stopojë. Ky është konkluzioni i Bankës së Shqipërisë i prezantuar në raportin e politikës monetare.

“Ne presim që efektet e rritjes ndërkombëtare të stabilizohen në gjysmën e dytë të këtij viti, dhe reduktimi gradual të nisë në 2023 e në vijim. Ne presim që inflacioni të kulmojë në gjysmën e dytë të vitit 2022 dhe të stopojë më pas dhe të kthehet në objektiv në 2024 prej 3%”, tha Erald Themeli Drejtor i Departamentit të Politikave Monetare.

Kjo rritje e çmimeve sipas Drejtorit të Politikës Monetare në Bankën e Shqipërisë Erald Themeli do të ndikojë negativisht në buxhetin e familjeve.

“Inflacioni i lartë gërryen fuqinë blerëse të familjeve shqiptare. Kjo gjë është edhe më e ndjeshme për familjet me të ardhura të mesme dhe të ulta, që e përdorin buxhetin më shumë për ushqime. Por përpos kohë ekonomia ka vazhduar të jetë në rritje dhe presim që të vazhdojë edhe më tej, kjo do të ndihmojë familjet që të përballojnë inflacionin”, tha Themeli.

Ndërsa nga analizat e bëra nga Banka qendrore bizneset janë shprehur që inflacioni do të arrij në 10.6%, kurse qytetarët presin që ai do shkojë deri në 9.6%.

“Analizat tona tregojnë se 75-80% e rritjes së inflacionit në 6-mujorin e fundit vjen nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimor dhe të naftës e cila më tej ka prodhuar efekt edhe në artikujt e tjetër”, thotë Themeli.

Drejtori i departamentit të Politikës Monetare shpjegon edhe arsyet kryesore që sollën rritjen e normës bazë të interesit për herë të tretë pak ditë më parë.

“Tre janë konkluzionet kryesore të raportit që motivuan këtë vendimmarrje. E para është fakti që presionet inflacioniste në vend duke se janë më të forta se parashikimet fillestare. Inflacioni i huaj ka qenë mbi pritshmëritë dhe kërkesa për mallra ka qenë e qëndrueshme. Së dyti, është që ekonomia e vendit ka pasur ecuri pozitive, burimet e rritjes ekonomike janë të konsoliduar. Konkluzioni i tretë ka të bëjë me tregjet financiare që janë të qëndrueshme përballë goditjeve por ka rritje të normave të interesit në afatmesëm dhe afatgjatë”, thotë Themeli.

Ashtu siç deklaroi pak ditë më parë guvernatori Gent Sejko, edhe në raportin e  politikës monetare thuhet se rreziqet për norma më të larta inflacioni dhe norma më të ulëta rritjeje ekonomike janë rritur.

“Inflacioni parashikohet të qëndrojë në nivele të larta deri në fillim të vitit pasues dhe të vijë në reduktim më tej, për të qëndruar në objektivin 3% në gjysmën e parë të vitit 2024. Inflacioni në vend do të pasqyrojë në një masë të madhe rritjen aktuale të çmimeve në tregun botëror. Më tej, në mungesë të goditjeve të reja, stabilizimi i çmimeve jashtë pritet të lehtësojë presionet mbi inflacionin në vend”, thuhet në raportin e Politikës Monetare.

(Kliko këtu për raportin tremujor të politikës monetare)

SI.E./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen