Viti 2025 po mbyllet me një përfitueshmëri në rënie të sektorit bankar në vend. Të dhënat e raportuara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se për 10-mujorin 2025 kthimi nga kapitali aksionar (fitimi në raport me kapitalin aksionar) për sektorin ishte në nivelin 15.86%, nga 18.51% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Kthimi nga aktivet (fitimi në raport me aktivet) gjithashtu paraqitet në rënie, në nivelin 1.63%, nga 1.88% që kishte qenë një vit më parë.

Edhe fitimi në vlerë absolute i sektorit bankar për 10-mujorin 2025 është në rënie me 7% krahasuar me një vit më parë, për një vlerë totale prej 29.2 miliardë lekësh.

Arsyeja kryesore e rënies së fitimeve të bankave është tejkalimi i pikut të efektit të lidhur me ciklin rritës së normave të interesit në bilancet e bankave.

Pas goditjes inflacioniste të vitit 2022, bankat qendrore rritën në mënyrë të shpejtë normat bazë dhe kjo u reflektua pozitivisht në të ardhurat nga interesat e aseteve të sektorit bankar.

Por, në vitin 2024, normat e interesit të bankave qendrore iu kthyen rënies, duke u përcjellë edhe në ecurinë e treguesve benchmark që përdoren nga bankat për kuotimin e çmimit të kredive, kryesisht Bonove të Thesarit dhe Euriborit. Një tendencë e tillë ka vijuar edhe gjatë vitit 2025.

Duke qenë se titujt qeveritarë janë benchmark edhe në kreditimin e sektorit privat, rritja e interesave përcillet edhe në kreditë në monedhën vendase.

Kjo e ka frenuar rritjen e të ardhurave nga interesat, ndërkohë që në krahun tjetër shpenzimet për interesa kanë qenë të qëndrueshme, të nxitura edhe nga një konkurrencë në rritje për fondet e publikut, veçanërisht prej bankave më aktive në tregun e kredidhënies.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se të ardhurat neto nga interesat (të ardhurat nga interesat minus shpenzimet për interesa) për 9-mujorin 2025 kishin vlerën e rreth 55.8 miliardë lekëve, në rënie me 0.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të ardhurat neto nga interesat të sektorit bankar janë në rënie për herë të parë që prej vitit 2019.

Në krahun tjetër, presionet mbi kostot e aktivitetit bankar ngelen të larta. Shpenzimet për personelin gjatë 9-mujorit 2025 arritën në më shumë se 14.4 miliardë lekë, në rritje me 12% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 dhe në nivelin më të lartë regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Ndërkohë, edhe shpenzimet e tjera të aktivitetit të bankave shënuan rritje të ndjeshme me 15.4%, duke arritur vlerën e përgjithshme të 27.8 miliardë lekëve. Rritja e çmimeve të viteve të fundit në segmentin e shërbimeve duket se ka ndikuar ndjeshëm edhe në shpenzimet e bankave tregtare.

Një efekt të rëndësishëm vlerësohet se ka pasur gjithashtu edhe nevoja në rritje për shpenzime të lidhura me dixhitalizimin dhe sigurinë kibernetike./Monitor