Prej 26 gushtit kanë nisur regjistrimet për vitin e ri akademik edhe në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës.

Sipas të dhënave të deritanishme, numri i regjistrimeve mbetet në nivele të përafërta me vitet e shkuara, megjithëse vihet re një rënie e lehtë e studentëve të regjistruar deri në këtë fazë.

Rektori i Universitetit të Korçës, Lorenc Ekonomi, thotë se programet më të kërkuara nga të rinjtë vijojnë të jenë Sportet, Infermieria, degët e Fakultetit Ekonomik, si dhe programet e Teknologjisë së Informacionit.

“Ka nisur faza e parë e regjistrimeve. Degët më të kërkuara janë sported dhe infermieria. Por edhe degët e ekonomisë dhe ato të informatikës kanë interes”, tha Ekonomi.

Këtë vit, Universiteti “Fan S. Noli” do të ketë edhe 15 kuota për programet prioritare. Studentët që përfitojnë nga skema e mbështetjes financiare për këto programe do të marrin bursë në masën e përcaktuar për programet prioritare gjatë viteve të studimit.

Në anën tjetër, disa programe studimi vijojnë të përballen me mungesë interesi. Regjistrimet janë thuajse minimale në Gjuhën Frënge, Gjuhën Shqipe dhe Gjuhët e Pakicave, si dhe në Matematikë-Fizikë. Disa prej këtyre programeve janë pezulluar edhe gjatë vitit të kaluar për shkak të numrit të pamjaftueshëm të studentëve.

Raundi i parë i regjistrimeve pritet të vijojë deri më 8 shtator. Deri në këto momente, të dhënat tregojnë një rënie të lehtë të numrit të studentëve të regjistruar në Universitetin e Korçës.