Qindra ndërmarrje të falimentuara dhe shumë të papunë. Ky është bilanci dhe përshkrimi më i mirë për vitin që tashmë po e lëmë pas. Thënë shkurt. Keq nisi, e keq përfundoi. Të dhënë pas negociatave politike në Bruksel, Qeveritarë kosovarë lanë anash të gjitha aktivitetet në vend, përfshirë edhe ato ekonomike, e të cilat stagnuan në kuptimin e plotë të fjalës.

Shumë takime, shumë shpenzime dhe në fund pa dyshim se nxorën një fitues (Qeverinë e Serbisë). Këta padyshim se fituan atë që e kërkuan në kuptim politik, mirëpo shumë edhe më shumë në atë ekonomik (krijuan financim të sigurt për komunat serbe që shtrihet në veri të Kosovë). Jeta e qytetarëve kosovarë gjithnjë e më shumë po varfëroret. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e fundit të doganave dhe agjencisë së statistikave të cilat flasin për rënie të vazhdueshme të fuqisë blerëse në vend.

Edhe sektori bankar në vend sivjet është ballafaquar me probleme të shumta. Këta të fundit probleme të theksuara kanë pasur me kredimarrësit e mëdhenj, të cilët si pasojë e krizës nuk kanë pasur kapacitete për kthimin e kësteve të kredisë, e ku nuk janë të vogla rastet kur fabrika me nam janë nxjerrë në shitje nga bankat komerciale përmes ankandeve të ndryshme. Thuajse si askund tjetër, në vendin tonë janë krijuar dy grupe njerëzish.

Ata të pasurit (qeveritarët dhe biznesmenët që punojnë me dhe për ta), dhe të varfrit pjesa dërmues e qytetarëve të këtij shteti, e ku një pjesë e madhe e tyre jetojnë përmes ndihmave që ata i marrin në emër të asistencës sociale. Qytetarët e këtij shteti në vazhdimësi po iu imponohet që të bëjnë një jetë sadopak evropiane.

Mirëpo, pagat që ata marrin në të shumtën e rasteve janë afrikane. Punëtorët, sidomos ata që janë në sektorin publik me paratë që marrin nuk kanë mundësi të krijojnë një ekzistencë për vete, e lëre më për familjen e tyre. Qeveritarët dhe biznesmenët që po punojnë me ta po i trashin xhepat me para të taksapaguesve kosovarë, e këta të fundit po luftojnë për ekzistencë.

Për qeveritarët që janë pasuruar ky vit do të konsiderohet si vit i suksesit, e ndërkaq për qytetarët vit i regresit dhe shkatërrimit.