Është viti i Puçinit. Si në të gjithë botën, edhe në Teatrin tonë të Operas do të përkujtohet kompozitori i madh italian në 100-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.
Nga Italia, në sajë të bashkëpunimit me Institutin Italian të Kulturës, kanë ardhur drejtuesit e fondacionit “Festival Puçiniano”, që çojnë para veprën e muzikantit gjenial.
“Këtu në Tiranë keni një teatër për të cilin duhet të jeni krenar. Kjo për cilësinë e muzikantëve, të balerinëve, të këngëtarëve, por edhe për mënyrën e menaxhimit nga drejtuesja Abigela dhe drejtori artistik Jakopo, të cilët po ftojnë artistë ndërkombëtarë, po mundësojnë bashkëpunime si ky me Festivalin Puçini në Vitin e Puçinit”, thotë Franco Moretti drejtor i Fondacionit të Festivalit Puçinian.
Gjatë këtyre ditëve në Tiranë kanë pasur mundësi të dëgjojnë artistët tanë, që bashkë me të tjerë emra të njohur të muzikës klasike do të vënë në skenë Triptikun e Puçinit, “Madame Butterfluy”, “Tosca”, dhe koncerte simfonikë.
“Ne do të kemi shumë takime dhe në botë, sepse janë të shumtë ata që kërkojnë praninë tonë, por ndihemi shumë afër Shqipërisë. Sepse për shumë vjet, ndonëse me vendet tona kaq pranë, kemi qenë të largët. Ndërsa tani shpresojmë të ripërqafohemi sërish!”, tregon Paolo Spadaçini, dr. i bordit të Festivalit Puçinian.
Jacopo Sipari di Pescasseroli, drejtori artistik i Teatrit, e konsideron bashkëpunimin me Fondacionin Puçinian, si një moment të rëndësishëm për ngjarjet në Opera.
“Jam shumë i lumtur sepse është një vit i rëndësishëm për të gjithë botën, për të gjithë ata që e duan muzikën dhe për ne që e bëjmë atë. Unë , tashmë e konsideroj veten gjysmë shqiptarë me të vërtetë dhe kam gjetur në këtë teatër shumë gjëra të përbashkëta me Italinë, sidomos zemrën e madhe të artistëve, ndjeshmërinë e madhe. Ndaj ata mund ta vënë më së mirë në skenë Puçinin, sepse Puçinin mund ta bëj mirë vetëm ai që është shumë emotiv”, shprehet muzikanti dhe dr. artistik i TKOB, Jacopo Sipari di Pescasseroli.
Tri veprat e Puçinit do të vihen në skenë me skenografi e kostumografi të mbështetur nga Fondacioni Puçinian.