Kthehet në skenë pas 16 vitesh opera 'Lucia di Lammermoor', shfaqja sjell në Shqipëri sopranon e njohur Jessica Pratt

Një dramë që ndërthur dashurinë e ndaluar, tradhtinë dhe çmendurinë, kështu do të mund të përmblidhej në pak fjalë ajo çfarë trajton opera “Lucia di Lammermoor”, e cila rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit pas plot 16 vitesh nga premiera e saj.

Tashmë vepra vjen me një produksion krejtësisht të ri dhe një koncept origjinal nga regjisorja Ada Gurra.

“Kjo vepër ka filluar siç fillon gjithmonë, 3-4 javë përpara. Kemi bërë punë shumë intensive me të gjithë solistët.”, - shprehet regjisorja Gurra.

E bazuar në një ngjarje të vërtetë që skandalizoi Skocinë e shekullit të 17-të, kjo histori nisi si roman nga Sir Ëalter Scott, botuar në vitin 1819. Ishin Gaetano Donizetti dhe Salvadore Cammarano – dy nga yjet më të shndritshëm të operës italiane – ata që, në vitin 1835 i dhanë Lucias zërin e saj të pavdekshëm.

Është për t’u shënuar që në këtë vënie të re në skenë të operës, një nga artistet që do t’i japë jetë Lucias është sopranoja e njohur në nivel global, Jessica Pratt, e cila këto ditë ndodhet në Tiranë.

“Roli i Lucias është shumë i rëndësishëm për mua. ‘Lucia di Lammermoor’ është një opera shumë specifike, se është e vështirë të gjesh, jo thjesht atë që do të interpretojë rolin e Lucias, por dhe të gjithë aktorët e tjerë, se të gjithë personazhet janë shumë specifikë dhe individualë dhe të gjesh aktorët e duhur është mjaft e vështirë. Kam pasur fatin të gjej një kast të mrekullueshëm, jo vetëm sa i përket mënyrës së të kënduarit, por dhe mënyrës së aktrimit.”, - thotë Pratt.

“Të punoj me znj. Pratt është padyshim privilegj. Jam shumë i lumtur dhe i nderuar. Prania e saj është vlerë e shtuar, jo vetëm për shfaqjen, por edhe për kolegët.”, - nënvizon drejtori artistik dhe dirigjenti Jacopo Sipari di Pescasseroli.

Dy aktoret e tjera që do ta sjellin personazhin kryesor në dimensione të tjera janë sopranot Ramona Tullumani dhe Ulpiana Aliaj.

“Për mua është kënaqësia e rradhës, që të jem përsëri në një rol që e debutoj brenda një viti. Do të thosha që është shumë ndryshe nga dy rolet që kam bërë përpara Luçisë. Është një rol sfidues, që kërkon një teknikë të lartë vokale, një zë me koloraturë dhe me dramacitet, meqënëse unë e spikas këtë pjesë.”, - vëren sopranoja Tollomani.

Ndërsa për Ulpiana Aliajn, ky rol shënon edhe rikthimin e saj në këtë skenë pas 12 vitesh.

“Unë jam vërtet shumë e emocionuar, por në të njëjtën kohë ndiej përgjegjësi të shumëfishtë për të qenë dhe për t’u rikthyer në këtë skenë pas shumë vitesh, jo vetëm me një titull kaq të rëndësishëm.”, - thotë Aliaj.

Kasti i artistëve është i niveli sipëror teksa do të ngjiten në skenë emra, si: Raffaele Abete, Armando Likaj, Artur Vera, Bledar Domi, Solen Alla, Matias Xheli, Erlind Zeraliu, Amelda Papa dhe Marina Kurti, shoqëruar edhe nga orkestra dhe kori i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.  

Vite më parë opera “Lucia di Lammermoor” u shfaq në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në nëntor të vitit 2008 me regji të Nicola Zorzi.

Në këtë vënie të re ajo do të vijë për publiku në datat 12, 13, 15 dhe 16 dhjetor.

B.G/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    12 Dhjetor, 16:05

    Berishës iu dha zyrtarisht nga gjykata vula e PD, a do të shtohen votat?



×

Lajmi i fundit

Mbyllet seanca maratonë në Parlament, 2 deputetët e PDIU shpëtojnë mazhorancën! Votohen projektligjet, mungojnë shumë ministra

Mbyllet seanca maratonë në Parlament, 2 deputetët e PDIU shpëtojnë mazhorancën! Votohen projektligjet, mungojnë shumë ministra