Data 1 shtator është afati i fundit kur universitetet private të cilave u është hequr licenca duhet të pajisin studentët e tyre me dokumentacionin e nevojshëm për transferimin e tyre në një universitet tjetër. Por siç duket kjo nuk ka ndodhur me studentët e Universitetit Vitrina, të cilët kanë protestuar përpara Ministrisë së Arsimit.

“Arsyetimi nga Vitrina është vetëm kjo, të paguajmë 500 euro, por tani është thënë që të pagujmë 1200 euro për shkak se është rritur tarifa për dhënien e dokumentacionit të plotë. Ne shkuam tek Vitrina që të merrnim dosjen ndërsa atje na thanë që duhet të paguajmë lekët, nuk na intereson se çfarë thotë Ministria”, ka thënë një studente.

“Nuk kemi përgjigjie, mirë nga shkolla, por edhe shteti nuk po na jep përgjigje por na thonë disa hajdeni këtu, disa shkoni atje. Ministria na thotë shkoni tek shkolla, shkolla na thotë shkoni në Ministri dhe ne nuk dimë si të veprojmë”, tha një tjetër studente.
 
Mos pajisja me dokumentet e nevojshme u rrezikon studenteve të humbin vitin e ri akademik të studimeve. Studentet i bëjnë apel Ministrisë së Arsimit për zgjidhjen sa më shpejt të kësaj situate, pasi ata kanë të drejtë të transferojnë.
 
Nga ana tjetër datën 1 shtator është afati i fundit i vendosur nga ministria e Arsimit për universitetet jo publike të cilave iu është hequr licenca të pajisin studentet me të gjitha dokumentacionet për transferimin e tyre në një universitet tjetër, pa asnjë detyrim financiar.
 
 
Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)