Vizita e Erdogan/ 5 pyetjet që 
shpjegojnë aleancën Shqipëri-Turqi

Vizita e Erdogan/ 5 pyetjet që <br />shpjegojnë aleancën Shqipëri-Turqi
TIRANË - Turqia dhe Shqipëria janë dy vende ballkanike me një histori të përbashkët disa shekullore. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona i kanë rrënjët që në shekullin e 15-të dhe vazhdojnë ende sot, por në periudha të ndryshme ato janë karakaterizuar nga ndryshime dinamike në varësi edhe të marrëdhënieve politike. Por vetëm në 10 vitet e fundit, dy vendet kanë njohur një intensifikim të marrëdhënieve veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe ekonomi. Vizita e presidentit turk Rexhep Tayp Erdogan një ditë më parë në Shqipëri u shoqërua me disa momente të rëndësishme që kanë një sfond historik nga pas, tek disa prej të cilave ia vlen të thellohesh për të kuptuar ngjyrimet e marrëdhënieve dypalëshe.

Ja 5 pyetjet që shpjegojnë marrëdhëniet Shqipëri-Turqi
 
Kryeministri Edi Rama paralajmëron mbledhje të përbashkët të dy qeverive dhe nënshkrimin e  dokumentin të partneritetit strategjik. Po si arriti Turqia të shndërrohet në një partner strategjik?
Marrëdhëniet Shqipëri-Turqi shënuan një rifillim pas rrëzimit të komunizmit në vendin tonë, kur në qershor të 1991-shit, kryeministri i atëhershëm turk Sulejman Demirel do të vizitonte Shqipërinë për të nënshkruar dhe një marrëveshje dypalëshe miqësie dhe bashkëpunimi. Dhe një vit më pas, Safet Zhulali bëri vizitën e parë të një ministri të mbrojtjes nga Shqipëria demokratike dhe i pari që përfaqësonte një vend jo anëtar të NATO-s që mund të shihte armatimet e forcave të armatosura turke. Kjo vizitë do të pasohej një muaj më vonë, në gusht 1992 me ardhjen e të parës anije të flotës turke që prej Perandorisë Osmane. Marrëdhëniet do të forcoheshin më shumë me vizitën e presidentit turk Turgut Özal në vitin 1993 i cili kërkoi nënshkrimin e një marrëveshje 15-vjeçare ekonomike që do të mbulonte disa fusha bashkëpunimi në sektorët kyç. Në këto 25 vjet marrëdhëniet kanë njohur ulje e ngritje të shumta por ato hynë në një fazë të re pas vizitës së ministrit të jashtëm turk Ahmet Ahmet Davutoğlu në tetor të 2013-ës, një vizitë që shkaktoi jo pak polemika për shkak të deklaratës së ish shefit të diplomacisë turke për rishikimin e teksteve shkollore. Qeveria e majtë e Edi Ramës i ka kushtuar një prioritet dhe rëndësi të veçantë këtyre marrëdhënieve duke e cilësuar Turqinë “partner strategjik”. Që në atë vizitë Davutoglu dhe Bushati ranë dakord për ngritjen e një Këshilli të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë Turqi-Shqipëri, që tashmë u konfirmua edhe nga kryeministri Rama në këtë vizitë të Erdogan një ditë më parë.
 
Në vizitën e tij të parë në Shqipëri si president, Erdogan i kërkon Maqedonisë të respektojë marrëveshjen e Ohrit, duke mos anashkaluar kështu ngjarjen e 9 majit në Kumanovë. Po pse ky qëndrim i prerë i Turqisë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve dhe si janë marrëdhëniet Ankara-Shkup?
Është interesant fakti se kur Maqedonia u shkëput nga ish Jugosllavia në 1991-shin, ishte presidenti i atërhershëm turk Turgut Ozal që e bindi homologun e tij Sali Berisha të njihte shtetin e ri, me bindjen se përmirësimi i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Maqedonisë do ta bënin Ballkanin më paqësor. Dhe jo pak herë Ankaraja ka luajtur rol në fqinjësinë e mirë mes ballkanasve. Por pavarësisht marrëdhënieve të ngushta diplomatike me Shkupin të vulosura edhe prej “armiqësisë” së përbashkët ndaj Greqisë, Turqia është treguar e kujdesshme kur vjen puna për çështjet ndër etnike në zemër të Ballkanit. Lidhjet e dy vendeve janë të vjetra dhe babai i Republikës Turke, Ataturku është shkolluar në Bitola, ndërsa i jati ishte nga një fshat në perëndim të Maqedonisë. Sot e kësaj dite, dhjetra turq vizitojnë çdo fundjavë Muzeun Kombëtar.
 
Roli i Turqisë në çështjen e Kosovës
Në fakt historia ka treguar se Turqia ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe për çështjen e Kosovës, një vend ku sot ka gjithashtu interesa të rëndësishëm ekonomikë.  Që në vitin 1993 kur presidenti i atëhershëm i Shqipërisë Sali Berisha vizitoi Turqinë, Tirana do të kërkonte ndihmën e Ankarasë për çështjen e Kosovës. E njëjta kërkesë do të përsëritej nga Rexhep Meidani gjatë vizitës së Demirel në 1998-ën, ku presidenti jonë theksoi se paqja në Kosovë do të arrihej vetëm me respektimin e të drejtave të shqiptarëve sipas ligjeve ndërkombëtare. Gjatë luftës në Kosovë, qëndrimi i Turqisë ishte shumë i rëndësishëm. Kryeministri i atëhershëm turk Eçevit e bëri të qartë se shqiptarët nuk mund të jetonin më nën administrin e Serbisë dhe se NATO nuk mund të dështonte në këtë konflikt. Në qershor të 1999-ës, pas marrëveshjes mes Serbisë dhe NATO-s, Turqia zbarkoi 1 mijë trupa nën mandantin e KS të OKB-së në fshatin Sharrë të Prizrenit, ku ka një minoritet turk dhe ku është përqëndruar sot interesi i Turqisë, që ka shkaktuar jo pak polemika për shkak të influencës turke në xhamitë e qytetit të historik.
 
Dje presidenti turk Erdogan tha se dëshiron dyfishimin e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve tona, për të arritur në 1 miliard dollarë. Po si janë marrëdhëniet ekonomike Shqipëri-Turqi?
Turqia në fakt e ka bërë të qartë prej kohësh se kërkon të zërë vendin e parë për investimet e huaja në Shqipëri, çka u deklaruar një vit më parë edhe nga ministri turk i ekonomisë Zeybektci. Pavarësisht kapitalit të madh turk në Ballkan, Shqipëria nuk ka patur fatin të gëzojë fluksin e investimeve turke si Kosova apo Bosnja. Megjithatë Turqia është partneri i dytë më i madh tregtar i Shqipërisë me një vlerë investimesh mbi 1 miliard euro. Veç kësaj, kriza financiare dhe recensioni kanë prekur investimet e vendeve të tjera në Shqipëria, ndërsa Turqia mbetet pothuajse në të njëjtin pozicion me rreth 10 % të totalit të investimeve. Investimet kryesore turke janë në ndërtim dhe materiale ndërtimi, në fushën e telekomunikacioneve, sistemin banker, industrinë e hekurit dhe çelikut, në sektorin e shëndetësisë, në miniera, në sektorin e prodhimit, transport dhe madje edhe madje edhe në arsim. Mes dy vendeve tona janë nënshkruar mbi 160 marrëveshje në fusha të ndryshme dhe aktualisht në Shqipëri ndodhen rreth 300 investitorë turq, me mbi 1 miliard dollar investime. Ndërsa volumi tregtar mes dy vendeve është rreth 300 milion dollarë. Qeveria turke ka përgatitur një program të quajtur Vizion 2023 që përfaqëson orientimin politik dhe ekonomik të Turqisë për dekadën e ardhshme ku mes të tjerash përfshin edhe rritjen e marrëdhënieve ekonomike me Shqipërinë si objektiv.
 
Cili ka qënë roli i Shqipërisë në strategjinë turke në Ballkan?
Pas rrëzimit të komunizmit në Shqipëri, politika e jashtme turke u përfshi në mënyrë shumë aktive në problemet dhe sfidat e Ballkanit, duke e bërë të qartë se do të shndërrohej dalëngadalë në një lojtar të rëndësishëm rajonal por dhe një prej kontribuesve kyç për nevojat ekonomike të Shqipërisë. Strategjia e Ankarasë drejt Europës Juglindore kishte si qëllim reduktimin dhe kundërbalancimin e rolit të Greqisë dhe Bullgarisë në territoret mes Detit të Zi dhe Adritatikut. Ky vizion do ti siguronte Turqisë një pozicion të privilegjuar në strategjinë e politikes së jashtme të Shqipërisë e cila gjatë viteve 90 po rishikonte marrëdhëniet dypalëshe me vendet fqinje. Politika e jashtme turke në Ballkan është influencuar veçanërisht nga presidenti Turgut Özal i cili përfitoi nga ekonomia e dobët e Shqipërisë dhe varfëria ekstreme pas rënies së komunizmit. Në 1991-shin Ozal do ti jepte Shqipërisë një hua prej rreth 14 milion dollar përmes Exim Bank, çka përbënte edhe huanë e parë që i jepej Shqipërisë demokratike nga një vend tjetër. Një vit më vonë qeveria turke do të ofronte një grant prej 29 milion dollar në ushqime dhe teknologji.

Shkrimi u publikua sot (14.05.2015) nw Shqiptarja.com versioni print
 
Redaksia online
(k.b/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Organet e drejtësisë refuzojnë komisionin 'Antikorrupsion', si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin

Macron kërkon që të ndalen dërgesat me armë për Izraelin