Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shprehur dhimbjen dhe keqardhjen për ditët e vështira që Jakup Krasniqi po kalon në Kosovë për shkak të sëmundjes së bashkëshortes. Ajo shprehet se është pranë familjes Krasniqi, së cilës i uron forcë e qetësi në këtë periudhë.

Haxhiu shkruan se beteja për drejtësi do të vijojë për të kërkuar lirinë e ish-krerëve të UÇK-së.

Reagimi i plotë:

Me shumë dhimbje dhe bashkëndjenjë po e përcjellim ardhjen e bacës Jakup Krasniqi në Kosovë. Ai është kthyer për pak ditë, për të qenë pranë bashkëshortes, gjendja shëndetësore e së cilës është rënduar.

Zëri i UÇK-së gjatë luftës, Kryetari i Kuvendit që drejtoi seancën historike të shpalljes së Pavarësisë dhe atë të miratimit të Kushtetutës, një nga figurat e rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës. Sot, Jakup Krasniqi po kalon ditë të vështira, larg lirisë dhe në rrethana të rënda familjare, por jo i vetëm.

Qëndrimi im për procesin dhe aktgjykimin ndaj tij dhe të tjerëve është i njohur. Tani që çështja ndodhet në Apel, do ta vazhdojmë betejën për drejtësi dhe për lirimin e plotë të krerëve të UÇK-së.

Jam pranë Jakup Krasniqit, bashkëshortes dhe gjithë familjes së tij.

Atyre u uroj forcë dhe që këto ditë, sado të vështira, t'i kalojnë bashkë e në qetësi.


Lajmi kryesor:

Bashkëshortja në gjendje të rëndë shëndetësore, Jakup Krasniqi kthehet sërish në shtëpinë e tij në Prishtinë