Për të gjithë ata që kanë planifikuar të lëvizin në Tiranë me automjete,nesër do të jetë një ditë mjaft e vështirë.Vizita e shumëpritur e kancelares Gjermane në Shqipëri do të “blindojë” kryeqytetin pasi shumë rrugë kryesore do të jenë të bllokuara  sipas njoftimit të policisë.
 
Policia bën me dije se në kuadrin e masave të rrepta për garantimin e rendit dhe sigurisë do të bllokohen  nga ora 10:30-14:30 segmentet si më poshtë:
Nga ora 1030-1430 nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve nga Rinasi për në Kashar (sensi tjeter do vazhdojë normalisht)
Nga ora 1330-1430 segmenti rrugor nga Superstrada Vorë – Tiranë, duke filluar nga mbikalimi i Kasharit – mbikalimi Kamëz dhe rrugët dytësore do të jenë të bllokuara
Në vazhdim segmenti rrugor nga mbikalimi Kamëz – Sheshi “Shqiponja” - Rruga e “Durrësit”
Segmenti rrugor Sheshi “Skëndërbej” – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”- Sheshi “Nënë Tereza” , rrugët lidhëse me to nuk do të lejohet parkimi i mjeteve si edhe do të bllokohet në momente të caktuara.

400 forca nga garda dhe 1500 policë në gadishmëri për sigurinë e kancelares
 

Burime për A1 Report bëjnë me dije se kancelarja gjermane pritet të zbresë në Rinas në orën 13:15. Më pas ajo do të pritet me ceremonial shtetëror në kryeministri dhe më pas do ketë takim me Presidentin Nishani. Në fund do të jetë e pranishme në Tirana Biznes Center, pranë aeroportit te Rinasit. Ashtu si edhe në vizita të tjera të ngjashme, Garda dhe Policia e Shtetit pritet të marrin masa të forta. Rreth 400 efektivë të Gardës dhe rreth 1500 policë, pritet të jenë pjesë e planit të masave, rrugët dhe godinat nga lartësi të ndryshme.  Garda e Republikes do te ketë sigurine e afert fizike te kancelares Merkel, të rrugë kalimeve dhe ambienteve ku do të kalojë ajo. 

Një helikopter i Ushtrisë pritet të jetë në gatishmëri. Po ashtu është parashikuar që një grup i Gardës së Kancelares gjermane të qëndrojë pranë Merkelit, duke koordinuar sigurinë e saj me Gardën e Republikës. Pas tiranës Merkel do të udhëtojë drejt Beogradit në vizitë zyrtare. 

Në njoftimin e saj policia kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe kërkon të shmangin qarkullimin me mjete në këto akse rrugore.

Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)